×
  • Lajme
  • Lajme / Prishtinë

    Flamuri amerikan në gjysmështizë në ditën e zisë në Kosovë, Hovenier: Urgjencë parandalimi i vrasjes dhe dhunës ndaj grave

    Reporteri
    17 Prill 2024 | 12:14

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se rastet e fundit të vrasjeve, si dhe ato të dhunës në familje nënvizojnë nevojën urgjente për më shumë punë për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave.

    Hovenier ka thënë se Ambasada ka ulur flamurin në gjysmështizë në Ditën Kombëtare të Zisë për të nderuar dhe kujtuar viktimat e femicidit dhe të gjitha gratë kosovare që janë viktima të dhunës në familje.

    “Sot, ne qëndrojmë me popullin e Kosovës në Ditën Kombëtare të Zisë, duke nderuar dhe kujtuar viktimat e femicidit dhe të gjitha gratë kosovare që janë viktima të dhunës në familje. Vrasjet dhe aktet e fundit e dhunës në familje nënvizojnë nevojën urgjente për të bërë më shumë për të trajtuar dhe parandaluar të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Ne duhet të përpiqemi të ndërtojmë shoqëri ku çdo individ mund të jetojë pa frikë dhe pa u lënduar”, ka shkruar Hovenier.

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e sotme, 17 prill të shpallet ditë zie në kujtim të grave dhe vajzave të vrara në Kosovë si rezultat i dhunës në baza gjinore, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Osmani, gjatë pjesëmarrjes në një ngjarje në Prishtinë, dënoi vrasjen në Pejë, duke theksuar se të gjithë e kanë për detyrë të mbrojnë gratë dhe vajzat.

    “Fatkeqësisht, sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht. Dhe, mënyra e vetme për ta ndaluar atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet, e si komb. Rizgjohemi sërish në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur”, tha Osmani.

    Për vrasjen në Pejë reagoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se pavarësisht “masave të ndërmarra, fushatave të iniciuara me qëllim pikërisht barazinë gjinore, vrasjet ndaj grave po vazhdojnë”.

    Ajo tha se ka thirrur për sot një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, kryesuesit e këshillave, ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit dhe drejtorin e Policisë së Kosovës dhe “po ashtu në një takim tjetër edhe mbledhjen e grupit ndërministror” për të trajtuar çështjen e vrasjes së grave.

    “Shpeshherë dhunuesit janë bërë vrasës pikërisht për shkak të mosndëshkimit adekuat nga institucionet përkatëse”, shkroi Haxhiu në rrjetin social Facebook.

    Vrasja në Pejë është rasti i dytë brenda pesë ditësh në Kosovë kur gratë dyshohet se u vranë nga partnerët apo ish-partnerët e tyre.

    Më 12 prill, një 21-vjeçare u vra brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!