×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova dhe Mali i Zi përfitojnë 8.4 milionë euro nga BE-ja për bashkëpunimin ndërkufitar

    Reporteri
    29 Mars 2024 | 16:45

    Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar të premten marrëveshjen dypalëshe për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III, për vitet 2021-2027.

    Sipas kësaj marrëveshjeje, dy shtetet fqinje pritet të përfitojnë 8.4 milionë euro nga Bashkimi Evropian.

    Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i, Besnik Bislimi dhe ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq.

    “Qëllimi i këtij programi është promovimi i fqinjësisë së mirë, nxitja e integrimit drejt Bashkimit Evropian, si dhe zhvillimi social, ekonomik dhe territorial i zonës ndërkufitare, diçka që ne si Qeveri i promovojmë, në vazhdimësi kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me vendet fqinje”, ka thënë Bislimi.

    Ai shtoi se në arritjen e këtyre objektivave fokusi dhe prioritetet tematike të përzgjedhura do të jenë në punësimin, lëvizshmërinë e fuqisë punëtore, përfshirjen sociale dhe kulturore, turizmi dhe trashëgimia kulturore dhe natyrore, dhe promovimi i qeverisjes lokale dhe rajonale.

    Në përfundim, duke ritheksuar se kjo marrëveshje i kontribuon bashkëpunimit të mirë ndërmjet dy vendeve tona, zëvendëskryeministri nënvizoi se ajo forcon dhe vlerat e përbashkëta të cilat i ndajmë në kuadër të rrugës drejt Bashkimit Evropian, por edhe efektin në rritjen e konvergjencës në kuadër të procesit të integrimit në BE.

    Para ceremonisë së nënshkrimit, palët zhvilluan dhe një takim bilateral.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!