×
  • Lajme
  • Lajme / Kryeministri në BBC

    Kurti: Dinari i përket shekullit të kaluar dhe Millosheviqit, Serbia deshi të provokojë luftë në Banjskë

    Reporteri
    30 Prill 2024 | 14:54

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dinari si mjet pagese në Kosovë, i përket shekullit të kaluar dhe Millosheviqit dhe Serbia nuk mund ta imponojë.

    Kurti në një podcast/dokumentar të BBC-së të titulluar “Kosovo – euro or bust”, ka përsëritur se Qeveria e Kosovës  po e respekton vendimin e BQK-së të bazuar në Kushtetutën e vendit që e përcakton euron si të vetmen valutë zyrtare.

    “Sipas Kushtetutës sonë, Kosova mund të ketë vetëm një mjet pagese. Ne vetëm po e themi atë që e thotë Kushtetua,. Dinari i përket shekullit të kaluar dhe Millosheviqit, kështu që nëse Serbia e dëshiron dinarin, nuk mund të na imponojnë … ne duhet të luftojmë aktivitetet ilegale, ne duhet ta parandalojmë mundësinë e financimit të terrorizmit, por për këtë ne duhet ta dimë kush po dërgon para, për kë dhe ku dhe me çfarë qëllimi”, tha Kurti.

    Ai shtoi se pjesa më e madhe e minoritetit serb në Kosovë e pranojnë Kosovën si shtetin e tyre, por ata duhet mbrojtur nga Beogradi.

    “Pjesa e madhe e minoritetit serb e pranojnë Republikën e Kosovës si shtetin e tyre. Duhet ta parandalojmë Beogradin që të mos i bullizojë ata. Nuk ka rrezik nga Qeveria ime për serbët e Kosovës. Ne nuk mund të lejojmë që asnjë individ apo grup të bëhet më i fuqishëm se shteti. Shteti është sundimi i ligjit për të gjithë”, tha Kurti.

    Kurti  foli edhe për sulmin terrorist në Banjskë dhe për municionin e gjetur pas agresionit të 24 shtatorit. Kurti tha se i gjithi ishte prodhuar në Serbi.

    “Ata deshën një luftë të re, nuk ndodhi dhe ne ia dolëm të eliminojmë tre terroristë, por pasojat ishin se dhjetëra prej tyre arritën të iknin dhe sot janë në Serbi”, tha Kurti.

    Kryeministrit iu shtrua pyetja se “Pse i latë të iknin kur i kishte rrethuar”?

    “Ne kishim një perimetër të gjatë dhe të gjerë. Ne nuk deshëm që ndonjë nga plumbat e policisë tonë të përfundonin në manastirin ortodoks serb. Çmimi që ne paguam ishte fakti që ata ia arritën të ikin”, është shprehur Kurti. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!