×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti e pranon se kanë mospajtime me LDK-në për pozitën e Presidentit: Nuk është çështje e thjeshtë

    Reporteri
    12 Dhjetor 2019 | 8:33

    Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike e Kosovës as dje nuk u morën vesh për të ndarë “tortën” e pushtetit dhe të lidhin më pas koalicionin qeverisës.


    Krejt çfarë u tha pas takimit ishte se do të vazhdojnë të takohen thuajse çdo ditë deri në arritjen e marrëveshjes, pa treguar se çfarë u pajtuan e çka jo.

    Në një intervistë me DW, Albin Kurti e ka pranuar se po hasin në vështirësi për të arritur koalicionin me LDK-së, por shprehet optimist se do ta bëjnë atë.“Tani jemi në një pikë ku po i finalizojmë edhe bisedimet për qeverinë. Unë jam optimist. Ka vështirësi, ka sfida, por kur ka vendosur populli më 6 tetor, ai ka bërë një lloj zgjedhjeje që nuk na ka lënë neve mundësi tjetër zgjedhjeje më tutje. Pra nuk ka mundësi për aritmetika të tjera, përveçse për qeverinë e nesërme që përbëhet nga opozita e djeshme me udhëheqjen e Vetëvendosjes, në bashkëqeverisje me LDK, me mua kryeministër”, ka deklaruar ai, shkruan Reporteri.net.

    I pyetur për pozitën e presidentit, Kurti ka thënë se kjo nuk është çështje e thjeshtë dhe se ka vështirësi në këtë pike, por beson se do t’a tejkalojnë ditët në vijim këtë pikë.

    “Është e vërtetë që kemi diskutuar për ministrat, jemi dakorduar që t’i kemi dy zëvendëskryeministra, zëvendëskryeministri i parë nga LDK, zëvendëskryeministri i dytë nga Vetëvendosja. Jemi dakorduar që t’i kemi nga pesë ministri, ku dy ministri shtesë i vijnë pakicave. Kësisoj kemi gjithsej dymbëdhjetë ministra. Në bazë të Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutës ne na takon automatikisht kreu i Kuvendit, por kemi treguar gatishmëri për ta biseduar edhe këtë post. Por, ndonëse e dimë që çështja e Presidentit do të bjerë nën mandatin tonë dhe ne si subjekte politike do të duhet të jemi të angazhuar, kemi shprehur besimin që është më mirë të mbyllet çështja e qeverisë para se të hapet ndonjë çështje për presidentin. Ju e dini që në Kushtetutën tonë thuhet që “Presidenti përfaqëson unitetin e popullit”, pra nuk është një çështje e thjeshtë. Është e vërtetë që ka vështirësi, por besoj se me mirëbesim të ndërsjelltë dhe sidomos me dëshirën e madhe për ndryshime në Kosovë do ta tejkalojmë edhe këtë në ditët në vijim”, ka deklaruar Kurti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!