×
  • Lajme
  • Lajme / Ngjarja e rëndë në Prishtinë

    Ky është profili i Dukagjin Nikollaj, kriminelit të kërkuar nga FBI që dyshohet se u përfshi në tragjedinë në “Bon Vivant”

    Reporteri
    05 Gusht 2023 | 12:17

    Prishtina u trondit mbrëmë nga një përleshje me armë që ndodhi në lokalin “Bon Vivant”, ku për pasojë mbeti i vdekur një 39-vjeçar dhe rreth 20 persona të tjerë u plagosën, shkruan Reporteri.net.

    I dyshuari kryesor për përfshirjen në sulmin me armë zjarri në këtë lokal është Dukagjin Nikollaj, i njohur me nofkën “Duka”, i cili ka arritur të ikë nga vendi i ngjarjes dhe policia e ka konfirmuar se një person është në arrati.

    Po kush është “Duka”?

    Përveç dyshimit se është përfshirë në përleshjen e mbrëmshme në Prishtinë, “Duka” ka të kaluar kriminale edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi rezulton njëprej shqiptarëve më të kërkuar nga FBI.

    Dukagjin Nikollaj, sipas Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), dyshohet të jetë i përfshirë në blerjen e sasive të mëdha të marijuanës nga Kanada dhe shpërndarjen e tyre në zonën e New Yorkut.

    “Duka” thuhet të jetë pjesëtarë i organizatës kriminale “Krasniqi Organization”, të dyshuar për trafikim droge dhe vrasje.

    Urdhër arresti për “Dukën” është lëshuar në maj të vitit 2010 nën akuzat për shpërndarje të lëndëve narkotike. Ai ka kontrolluar rrethin e drogës nga viti 2003 deri në vitin 2007.

    Sipas FBI ai dyshohet të jetë i përfshirë në blerjen e sasive të mëdha të marijuanës nga Kanada dhe shpërndarjen në zonën e Nju Jorkut.

     

    Në disa fotografi “Duka” shihet nën shoqërinë e K.R. 39-vjeçarit nga Zabeli i ultë i Drenasit i cili mbeti i vrarë mbrëmë në “Bon Vivant”.

    Policia e Kosovës ka arrestuar katër të dyshuarit, ku në mesin e tyre është edhe Andi Pajaziti i njohur si “Italiani”, që ka mbetur i plagosur dhe po trajtohet në spital, ndërsa “Duka” ndodhet akoma në arrati.

    Në një profil në Facebook që mban emrin e tij, por që nuk dihet a menaxhohet nga i njëjti shkruan se ai ka qenë ish-vrasës serial.

    Detajet nga policia për rastin e mbrëmshëm

    Policia ka bërë me dije se 17 persona të tjerë, tre burra dhe 14 gra, kanë marrë lëndime si pasojë e thyerjes së gotave-shisheve të qelqit.

    Sipas Policisë, katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë), derisa një i dyshuar tjetër gjendet në arrati.

    “Rr. Xheladin Hana, Prishtinë 04.08.2023-20:17. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra. Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati”, thuhet në raport.  /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!