×
  • Lajme
  • Lajme

    Lajçak pas takimit me Kurtin: Kosova e Serbia duhet ta përcaktojnë epilogun e dialogut

    Reporteri
    22 Tetor 2022 | 15:41

    Emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka folur para mediave pas takimit që pati sot me kryeministrin Albin Kurti.

    Ai nuk dha shumë detaje të takimit, përveçse tha se ka progres, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Nuk do të jap detaje, por takimi me kryeministrin Kurti ishte shumë konstruktiv dhe shumë i dobishëm dhe ne jemi duke bërë progres në bisedimet tona. Kjo ndoshta ajo çka mund të them”, tha ndërmjetësi evropian.

    Lajçak tha se janë dy vendet që duhet ta përcaktojnë marrëveshjen finale e se kjo nuk varet nga ndërmjetësuesit.

    Lajçak u pyet edhe për kërkesën që BE dhe SHBA i kanë bërë Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e targave, por tha se preferon të mos komentojë shumë mbi këtë çështje.

    “E diskutuam këtë çështje dhe sigurisht është vendim i kryeministrit. Unë s’do të komentoj në këtë çështje. Nuk do të flas shumë në këtë çështje”.

    I pyetur për një draft të asociacionit që qarkulloi ditëve të fundit, Lajçak tha se nuk ka lidhje me ta.

    “Kam dëgjuar nga mediat e juaja, nuk kam qenë i informuar. Nuk është shpërndarë me ne. Ne nuk kemi kërkuar nga askush që ta bëjë këtë, është i ndarë nga dialogu”, tha ai.

    Ai ka pranuar se ndër diskutimet që ka pasur me Kurtin ishte edhe propozimi franko-gjerman.

    “Kemi diskutuar për propozimin gjerman, por nuk e ndihmon procesin nëse hyj në detaje. Janë çështje të ndjeshme dhe jam në kontakt me të dy, Kurtin dhe Vuçiqin”, tha ai.

    Kujtojmë se i dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë qëndrimit në Prishtinë gjatë kësaj jave dhe takimeve që kishte me krerët e shtetit, ka thënë se afati i caktuar nga Qeveria e Kosovës për regjistimin e automjeteve me targa RKS duhet të shtyhet për dhjetë muaj dhe se do të ishte mirë që përgjigja e Qeveria e Kosovës ishte pozitive.

    Por Esocbar tha se për këtë kërkesë nuk ka marrë zotim nga Kurti e Osmani.

    Kryeministri Kurti nuk ka dhënë sinjale se do të ketë shtyrje të afatit për targat.

    Gjatë takimit që Kurti kishte dje me ambasadorët e shteteve të QUINT’it, vendimi për targa ka qenë pikërisht pjesë e diskutimit.

    Në një komunikatë nga Qeveria pas takimi u tha se kryeministri ka thënë ambasadorëve të QUINT-it se “vendimi s’është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës”.

    10 ditë afat, a do ta dëgjojë Kurti kërkesën e Perëndimit për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targa?

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!