×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Punësimet dhe zhvatja e PTK-së, nisin raportimet në Komisionin Hetimor

    Reporteri
    21 Maj 2019 | 13:19

    Autor: Gentrit Dibrani


    Punësimet partiake dhe familjare në Postën dhe Telekomin e Kosovës dhe gjendja e krijuar nga keqmenaxhimet si dhe marrëveshjen me Z-Mobile kanë ndikuar që PTK-ja të vijë buzë falimentimit.


    Reporteri ishte media e parë që kishe raportuar për krijimin e një Komision Hetues Parlamentar, i cili kryesues ka Visar Ymerin e PSD-së dhe zëvendës Milaim Zekën.

    E për të raportuar para këtij komisioni janë ftuar që nga ish-kryeshefat ekzekutivë të PTK-së deri tek ministrat, si ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi, ish-kryeshefët ekzekutivë Adnan Merovci dhe Shyqeri Haxha, Sindikata e punëtorëve si dhe bordi i Telekomit, shkruan Reporteri.net

    Hetimet për punësimet familjare në Telekom do të bëhen që nga viti 2009 e tutje, e për këtë është kërkuar zgjatja e punës së komisionit nga 1 në 6 muaj.

    Ndërsa për këto hulumtime kryetari i komisionit, Visar Ymeri ka kërkuar këto dokomente:

    Telekomi i Kosovës të ofrojë dhe dorëzojë material (kopje) të:

    – dymbëdhjetë Kontratave

    – shpenzimet e Mediave për 20 vite

    – shpenzimet e Marketingut për 20 vite

    – shpenzimet e qirave (pa specifikuar çfarë qirash) për 20 vite

    – shpenzimet e reprezentacionit për Menaxhment, Kryeshefa dhe Bord për 20 vite

    – raportet e auditorëve të brendshëm dhe të jashtëm për 20 vite

    – raporte dhe lista të të punësuarve për 20 vite.

    E siç duket ky Komision Hetimor do të ketë mjaft punë, pasi anëtarët e saj do të kenë në llupë edhe kolegët e tyre nga politika.

    Për punësimet partiake është deklaruar edhe Kryeministri i vendit, i cili ka thënë se punësimet e anëtarëve të partie së tij në PTK mund edhe të ndërlidhen me atë se deri më tani këta persona janë “persekutuar” nga subjektet tjera qeverisëse që kanë qenë para tij.

    E ndër punësimet të cilat bënë bujë mediale ishin, Osman Ejupi, i afërt me Nismën, i ka punësuar në Postën e Kosovës të katër fëmijët e tij.

    Po ashtu 28 vjeçari Genc Nitaj që u punësua në PTK, rezultoi se është djali i deputetit të AAK-së, ish-gazetarit Muharrem Nitaj.

    Edhe Donika Kadaj-Bujupi punësoi bashkëshortin Naser Bujupi si agjent i shitjes në Telekom.

    Albion Haxhiut, djalit të deputetes Teuta Haxhiu nga AAK, para pak kohe iu bë vendi në kompaninë e famshme për punësime partiake.

    Sa i përket punësimeve, PTK-ja historikisht ka qenë e mbipopulluar me militantë partiakë dhe familjarë të politikanëve. Këtë e shpjegon edhe fakti se Kryesuese e Bordit të kësaj kompanie është Besa Shatri-Berisha, e cila është gruaja e deputetit të AAK-së Bekë Berisha.

    Ndërsa sa i përket privatizimit të PTK-së, për të katërtën herë me radhë ka dështuar  votimi i vendimit të Qeverisë me të cilin autorizohet Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës” SH.A. /Reporteri.net/

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!