×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministrit Sveçla dhe të tjerëve të martën iu parashkruhen veprat penale

    Reporteri
    24 Qershor 2023 | 8:53

    Të martën, Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës dhe të tjerëve iu parashkruhen akuzat për huliganizëm dhe vepra tjera penale.

    Më 27 qershor 2023 bëhen 7 vjet e 5 muaj e 27 ditë prej kur Ministri aktual i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bashkë me kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe të tjerë akuzohen për huliganizëm dhe vepra tjera gjatë një proteste të mbajtur më 2013.

    Pra, pas 10 vjetëve apo 3 mijë e 652 ditëve prej ditës kur akuzohen se kanë kryer veprat penale, lënda po përfundon pa epilog pasi arrihet parashkrimi absolut i veprave që ngarkohen zyrtarët aktualë dhe ish-anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje një pjesë e të cilëve tash janë në krye të pushtetit ekzekutiv përfshirë ministrin Sveçla.

    “Betimi për Drejtësi” për herë të parë aktakuzën e kishte publikuar më 10 gusht 2021 pasi Sveçla dhe të tjerët ishin ftuar në gjykatë për t’u përballur me akuzat që kishin të bënin me vitin 2013.

    Bazuar nenit 412 me paragrafin 3 dhe 4 të Kodit Penal, dënueshmëria lidhur me këtë rast del të jetë me gjobë nga 200 deri në 10 mijë euro si dhe me burgim deri në 5 vite. Parashkrimi relativ i këtyre veprave bëhet pas pesë viteve ndërsa parashkrimi absolut bëhet pas dhjetë viteve nga kryerja e veprës penale.

    “Betimi për Drejtësi” ka dërguar në kërkese për informatë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur më sqarimin e historikut të procedimit të çështjes penale ndaj Ministrit Sveçla dhe të tjerëve. Janë kërkuar informacione se pas ushtrimit të aktakuzës në Gjykatë sa seanca janë caktuar për këtë rast, në cilat data, sa prej tyre ishin mbajtur dhe sa prej tyre kanë dështuar të mbahen. Janë kërkuar edhe arsyet e dështimit të seancave të planifikuara në këtë çështje.

    Mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli Gjykata nuk ka dërguar sqarimet e kërkuara.

    Mbi 7 vjet pas aktakuzës asnjë seancë

    Seanca e parë ndaj Xhelal Sveçlës dhe të tjerëve ishte caktuar pas 2 mijë e 706 ditëve pas ditës kur u është ngritur aktakuza se kanë kryer veprime huligane dhe vepra tjera penale. Pra, shqyrtimi i parë fillestar i caktuar nga gjykatësi Eroll Gashi ishte më 10 gush 2021, saktësisht 8 vjet e 1 muaj e 18 ditë pas 23 qershorit 2013. Por, aty kishte munguar Xhelal Sveçla. Kjo seancë dhe të tjerat kishin dështuar shkaku i mungesës së të akuzuarve, të cilët kanë munguar herë njëri e herë tjetri nëpër seanca.

    277 ditë pas dështimit të parë, ishte caktuar seanca tjetër, saktësisht më 3 shkurt 2022. Sikurse më 10 gusht 2021, edhe herën e dytë kishte dështuar gjykimi ndaj Sveçlës dhe të tjerëve. Edhe kësaj radhe, kishte munguar Sveçla dhe një tjetër i akuzuar. Atë ditë, gjykatësi Gashi kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me forcë pasi kishte prova se të akuzuarit ishin ftuar në mënyrë të rregullt.

    Për dallim prej dy herëve të tjera, herën e tretë, 400 ditë pas dështimit të parë, Xhelal Sveçla kishte mbërritur në gjykatë në seancën e caktuar për 6 qershor 2022. Mirëpo, sërish seanca ka dështuar pasi kishte munguar Dardan Molliqaj dhe pesë të tjerë.

    Më 1 gusht të 2022, Xhelal Sveçla. po shënonte mungesën e tretë në dështimin e katërt të procesit gjyqësor ndaj tij dhe të tjerëve për huliganizëm dhe vepra tjera penale. Sveçla ishte arsyetuar se po mungonte në seancë për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës. Në këtë seancë gjykatësi Gashi kishte njoftuar se do të veçohet lënda ndaj të akuzuarve Xhelal Svçlës, Dardan Molliqaj, Arsim Maqestena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj Frashër Krasniqi, Nol Nushi dhe Afrim Hoxha. Procesi gjyqësore kishte vazhduar vetëm sa i përket të akuzuarve Bekim Shkodra, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj, duke u veçuar lënda ndaj të lartë përmendurve me një numër të ri të lëndës për shkak të mungesës në seancë.

    Më 9 mars 2023, sërish kishte dështuar seanca. Megjithëse prezentë ishte Sveçla, kësaj radhe mungonte Dardan Molliqaj dhe katër të akuzuarit tjerë.

    Më 29 mars të këtij viti sërish kishte munguar Xhelal Sveçla dhe gjashtë të tjerët kurse prezent ishin Egzon Ademi, Pajtim Demaj dhe Afrim Hoxha;

    Shqyrtimi fillestar kishte vazhduar ndaj të akuzuarve Egon Azemi Pajtim Demaj dhe Afrim Hoxha pasi që gjykatësi Gashi prapë kishte nxjerr aktvendim për veçimin e procedurës ndaj tyre me që rast edhe ishte dhënë fjala hyrëse dhe ishte kaluar në fazën e kundërshtimit të provave dhe aktakuzës në afat 30 ditorë.

    Prandaj gjykimi ndaj të akuzuarve ministrit Xhelal Sveçla, si dhe Dardan Molliqajt, Pajtim Havollit, Arsim Maqastenës Agron Kabashit , Frashër Krasniqit dhe Nol Nushit për shkak te mungesë ishte veçuar dhe kishte marrë numër të ri si lëndë penale ndaj tyre.

    Në këtë rast ku të akuzuar ishin 13 persona, gjykimi ndaj tyre vijon në tri lëndë të ndara penale dhe krejt kjo si rezultat i mungesës herë të njërit herë tjerrit të akuzuar nëpër shqyrtimet e caktuara gjyqësore.

    Gjithashtu ne këtë rast ndaj Besnik Qelajt, Bekim Shkodrës dhe Sami Avdiut ishte bërë veçimi i procedurës penale më 2 gusht të vitit 2022. Qalajt dhe Shkodrës për veprën penale “Pjesmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe hulganizëm” ishin gjykuar me 1 vit e gjysmë burgim.

    Ndërkaq vazhdojnë ende shqyrtimet gjyqësore të veçuara ndaj Bekim Shkodrën për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtarë” dhe për Sami Avdiun për veprën penale “ Pjesëmarrja në turmë që kryejnë vepra penale dhe huliganizëm”.

    Gjyqtari kishte lëshuar urdhëresë për ta sjellë me forcë Sveçlën, në media tha diçka tjetër

    Në seancën e datës 3 shkurt të vitit 2022 pasi që seanca kishte dështuar në mungesë të akuzuarit Xhelal Svecla dhe Agron Kabashi, gjykatësi i rasti kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me forcë pasi që kishte prova se të njëjtit ishin të ftuar në mënyrë të rregullt por nuk ishin paraqitur ne gjykim.

    Në lidhje me lëshimin e kësaj urdhërese gjykatësi i rastit kishte reaguar nëpër mediat tjera online me pretendimin se nuk ishte lëshuar një urdhëresë e tillë, mirëpo redaksia e “Betimit për Drejtësi: përmes procverbalit dhe audioincizimit vërtetonte se për të akuzuarit që janë ftuar me rregull dhe nuk prezentojnë ne seance do të lëshonte një urdhëresë të tillë.

    “Palët të cilat janë ftuar në mënyrë të rregulltë dhe nuk janë prezantuar në seancë, gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim”, thuhej në procesverbalin e seancës.

    Në lidhje me këtë çështje përmes emisionit të 266 “Betimi për Drejtësi” e kishte sqaruar në detaje çështje të lëshimit apo jo të urdhëresë për sjellje me forcë të ministrit Svecla.

    Aktakuza: Sveçla në fotografi shihet teksa sulmon me gurë veturat e Qeverisë

    Me datë 27 qershor të vitit 2014, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte pranuar kallëzimin penal nga Policia e Kosovës kundër të dyshuarve Dardan Molliqaj, Xhelal Svecla, Arsim Maqastena, Bekim Shkodra etj, për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar si dhe për veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” dhe po ashtu më datën 30 qershor Policia e Kosovës kishte dorëzuar edhe një kallëzim penal plotësues tash për veprën penale “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” si dhe për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”;

    Mbi bazën e këtij kallëzimi penale me 14 mars të vitit 2014 Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë kundër Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Xhelal Svecla, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj me prokuroren përpiluese te aktakuzës Sebahat Hoxha;

    Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Xhelal Svecla, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj me ketë aktakuzë ngarkohen me veprën penale secilin veç e veç “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” nga neni 412 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 4 të Kodit Pena të Republikës së Kosovës (KPRK);

    Ndërkaq, për Bekim Shkodrën prokuroria e kishte ngarkuar edhe me veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410 paragrafi 2 të KPRK-së;

    Në aktakuzën e ngritur me 14 mars 2014 thuhet se me datë 27 qershor të vitit 2013 në rrugën “Nënë Tereza” gjatë protestës përmes veprime të dhunshëm dhe huligane të akuzuarit kishin hedhur gurë, ngjyrë, sfera qelqi, shishe, mjete piroteknike ku si pasojë e këtyre veprimeve kishin mbetur të lënduar zyrtarët policorë Rifat Geci, Halil Syla, Agim Xheli, Bashkim Hyseni, ku përveç kësaj me veprimet e tyre të akuzuarit kishin dëmtuar edhe uniformat dhe pajisjet zyrtare policore duke i dëmtuar kështu edhe dy vetura të tipit “ Mitsubish Pajero” dhe veturën tjetër të tipit “Taureg” pronë e Qeverisë së Kosovës si dhe dy vetura tjera të tipit “Golf V” këto pronë e Policisë së Kosovës, prandaj me këto veprime të akuzuarit Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Xhelal Svecla, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj kishin kryer veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” nga neni 412 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 4 të KPRK-se;

    Ndërkaq në pikë e dytë të dispozitivit të kësaj aktakuze thuhet se Bekim Shkodra me 27 qershor të 2014 në rrugën “Nënë Tereza” kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarin Rifat Gecin duke e goditur me shkelma në këmbën e djathtë me që rast i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore andaj me këto veprime Shkodra akuzohej edhe për veprën penale “ Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410 paragrafi 2 të KPRK-së;

    Si prova të cilat janë renditur në aktakuzën e ngritur ndaj të lartë përmendurve ndër të tjera janë: video-incizimet në 5 CD të siguruara nga mediat elektronike, raportet mjekësore të dëmtuarve Selatin Sheholli, Rifat Gecit, Bashkim Hysnit dhe Agim Gjelit, fotoalbumi me fotografitë nga vendi i ngjarjes;

    Në video-incizimet e siguruara si prova materiale sipas aktakuzës thuhet se shihen qartë veprimet inkrimunuese të akuzuarve Nol Nushit dhe Frashër Krasniqit duke dëmtuar veturën e Qeverisë së Kosovës, ndërkaq të akuzuarit Egzon Azemi, Agron Kabashi, Pajtim Havolli, Pajtim Demaj shihen duke hedhur ngjyrë, ndërkaq i akuzuari Dardan Molliqaj duke sulmuar fizikisht zyrtarët policorë;

    Tutje në arsyetimin e aktakuzës thuhet se nga fotografitë e siguruara vërehet i akuzuari Xhelal Svecla duke hedhur gurë në drejtim të veturave të Qeverisë së Kosovës, ndërkaq për të akuzuarin Bekim Shkodra i njëjti nga dëshmia e dëshmitarit Rifat Geci vërtetohet kryerja e veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar” ;

    Ndërkaq për veprimet inkriminues të akuzuarit tjetër Arsim Maqasten lidhur me veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” vërtetohen nga identifikimi që të njëjtit i kishte bërë zyrtari policor Berat Haradinaj;

    Po ashtu edhe për veprimet e të akuzuarit Besnik Qelaj nga video-incizimet e siguruara shihet qartë se gjatë tërë protestës kishte qenë agresivë duke sulmuar edhe zyrtarët policorë me çka kishte kryer veprën penale “ Pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmit”./BetimipërDrejtësi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!