×
  • Lajme
  • Lajme / 1 Maji

    PDK kërkon nga qeveria dinjitet dhe siguri për punëtorët, jo valixhe drejt Evropës

    Reporteri
    01 Maj 2024 | 10:52

    Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 majin, ka organizuar një aksion simbolik para dyerve të Qeverisë së Kosovës.

    Në shkallët e objektit janë vendosur uniformat e zjarrfikësve, policisë, minatorëve, një ditar shkollor, dhe një tabak, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    Sipas PDK-së, qeveria e prirë nga Albin Kurti nuk e ka përmbushur premtimin për krijimin e një ambienti të favorshëm për të gjithë punëtorët, pavarësisht kategorisë apo moshës së tyre.

    Gjatë aksionit, të rinjtë e PDK-së kanë thënë se “secili mban nga një valixhe në duar, simbol i fuqishëm i zgjedhjes së hidhur që shumë qytetarë janë të detyruar të marrin rrugën e emigrimit”.

    “Sot në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, bashkë me rininë e PDK-së jemi mbledhur para qeverisë, ne qëndrojmë këtu, të detyruar nga një realitet I hidhur që na nxit të shprehim shqetësimin që prek jo vetëm rininë, por çdo shtresë të shoqërisë sonë”, thuhej në komunikatën e lexuar para qeverisë.

    Të rinjtë kanë dalë edhe me disa kërkesa: Siguri në çdo vend pune, mbulim gjithëpërfshirës sigurimesh si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, trajtim i drejt dhe meritor në vendin e punës, kompensime adekuate të rrezikut për të gjitha profesionet me rrezikshmëri të lartë, vende të reja të punës për rininë dhe programe aktive për t’i aftësuar me qëllim që ata të mbeten në Kosovë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!