×
  • Lajme
  • Lajme / Kronikë

    Plagosja e katër personave, çka dihet deri më tani nga rasti në Lupç të Podujevës

    Reporteri
    02 Maj 2024 | 7:59

    Katër persona kanë mbetur të plagosur të mërkurën në orët e pasdites në Lupç të Podujevës. Tre prej tyre janë plagosur me armë zjarri, ndërsa njëri me thikë.

    Prokuroria ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshje mes disa personave që janë familjarë. Tashmë, pesë persona janë ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është cilësuar si tentim vrasje.

    Një nga të lënduarit ndodhet në gjendje më të rëndë shëndetësore, përcjell Reporteri.net.

    Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se rasti është cilësuar si “vrasje në tentativë”.

    “Deri tani, nga ana e prokurorit të shtetit, masë e ndalimit (48 orë) është shqiptuar për pesë persona të dyshuar dhe rasti është cilësuar si vrasje në tentativë”, tha Ahmeti.

     

    Masë ndalimi për 48 orë për pesë të dyshuarit për plagosjen në Podujevë, të njëjtit po trajtohen në QKUK

    Ndërkaq,  zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, tha se nga hetimet fillestare dyshohet se ngjarja ka ndodhur një mosmarrëveshje mes disa familjarëve. Ajo shtoi se një person është shoqëruar në stacion policor për t’u intervistuar.

    “Pas pranimit të informatës nga policia, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendngjarje. Nga hetimet fillestare dyshohet se pas një mosmarrëveshje mes disa personave (familjarë), në fshatin Lupç, si pasojë e të shtënave me armë zjarri dhe përdorimit të thikës, janë lënduar katër (4) persona, të cilët janë dërguar për ta marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, derisa një (1) person i dyshuar në këtë ngjarje është shoqëruar në stacion policor për tu intervistuar. Prokurori i Shtetit në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë veprimet hetimore në drejtim të veprës penale “Vrasja në tentativë”, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti”, tha Ulaj.

    Pas trajtimit mjekësor që mori në Emergjencë, një nga të lënduarit është arrestuar, ndërkaq më vonë Policia bëri të ditur se pesë personave u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!