×
  • Lajme
  • Lajme

    Profesoresha u del në mbështetje studentëve që po protestojnë kundër ngacmimeve seksuale në UP

    Reporteri
    17 Prill 2024 | 13:33

    Profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, njëherësh deputete e AAK-së, Albena Reshitaj i ka dal në mbështetje studentëve që po protestojnë kundër ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës.

    Ajo duke hyrë në Këshillin e Etikës së UP-së, në rektoratin e Universitetit të Prishtinës, tha se ka përcjellë me shqetësim raportimin e 27 studenteve të UP-së për ngacmim seksual nga profesori Xhevat Krasniqi.

    “Kam ardhur sot të mbështes të gjitha viktimat e ngacmimit seksual sidomos në Universitetin e Prishtinës, të gjitha viktimat dhe shantazhimet që ndodhin në këtë tempull të dijes dhe për të luftuar së bashku me të gjithë ju, profesorët, profesoreshat dhe studentët e UP-së këto fenomene, të cilat në të kaluarën janë mbuluar dhe po shihen rezultatet. Këto fenomene nuk duhet mbuluar dhe heshtur. Heshtja është aprovim i së keqes dhe ata që heshtin janë pjesë e krimit”, tha Reshitaj, raporton EO.

    Ajo shtoi se duhet mbështetur guximi i atyre studenteve që kanë raportuar ngacmimet seksuale, teksa i bëri thirrje Këshillit të Etikës të ndalojë degradimin e personalitetit të studentëve, pasi UP duhet t’i mbrojë studentët.

    Ndërsa, teksa po zhvillohet protestë tek dyert e UP-së, Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” po mban mbledhje në të cilën po dëshmojnë tri studente të cilat janë në mesin e rreth 27 vajzave që e kanë denoncuar profesorin Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual.

    Këshilli i Etikës së UP-së përbëhet nga katër anëtarë burra: Izet Morina, Skender Muji, Arben Hajdari dhe Rrezart Galica.

    Mbledhja është e hapur për media, mirëpo është kërkuar që për shkak të konfidencialitetit të dëshmitareve që janë duke dëshmuar aktualisht, mediat të mos marrin pamje.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!