×
  • Lajme
  • Lajme / 2020-2023

    Raporti i OSBE-së: Gjykatat në Kosovë duhet të sigurojnë konsistencë dhe drejtësi në dënimin e rasteve të armëmbajtjes pa leje

    Reporteri
    16 Prill 2024 | 15:25

    Misioni i OSBE-së sot publikoi raportin më të fundit, të fokusuar mbi praktikat e dënimit në rastet që kanë të bëjnë me armëmbajtje pa leje.

    Raporti analizon të dhënat e mbledhura nga dhjetori 2020 deri në gusht 2023, si dhe vlerëson praktikat ndëshkuese të gjykatave lidhur me respektimin e standardeve të gjykimit të drejtë dhe ato ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, me fokus tek dënimet e drejta dhe konsistente.

    Analiza vë në dukje dy mangësi kryesore në lidhje me praktikat e dënimit në rastet e armëmbajtjes pa leje: vlerësimi joadekuat i rrethanave rënduese dhe lehtësuese; si dhe mungesa e konsistencës në aktgjykimet dënuese.

    Në afro 25 për qind të rasteve të monitoruara, gjykatat në mënyrë të parregullt i kanë shqyrtuar si rënduese faktorë të përgjithshëm dhe rrethana jo individuale. Këtu përfshihet edhe mbajtja e paautorizuar e armëve që referohet si “lloj i veprës penale të kohëve të fundit” apo “më të shpeshta në Kosovë”.

    Për më tepër, korniza ligjore e Kosovës nuk bën dallimin domethënës midis llojeve të armës si dhe shkallëve të rrezikshmërisë, gjë që çon në dallime të thella tek aktgjykimet dënuese nëpër gjykatat e Kosovës. Rrjedhimisht, 31 nga 33 raste rezultuan me gjoba me shuma të ngjashme (400 euro si më e shpeshta) për rastet që bënin fjalë për armë të ndryshme, që shkonin nga spreji lotsjellës e deri tek armët e zjarrit gjysmë automatike, të cilat paraqesin rrezikshmëri e seriozitet krejt tjetër.

    “Në peshimin e dënimit, gjyqtarët kanë për detyrë të ruajnë konsistencën dhe drejtësinë e dënimeve, duke siguruar që dënimi të pasqyrojë rrethanat e rastit në fjalë. Ky është çelësi për një sistem drejtësie të drejtë dhe të paanshëm”, tha Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

    Raporti përfundon me rekomandimet që i drejtohen palëve kryesore në sistemin gjyqësor të Kosovës, duke përfshirë edhe trajnimet e përgatitura enkas për gjyqtarë dhe prokurorë, si dhe ndryshimet në kornizën legjislative dhe në udhëzues.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!