×
  • Lajme
  • Lajme / Biseda telefonike

    Scholz-Kurtit: Duhen hapa konkret drejt themelimit të Asociacionit në kuadër të anëtarësimit në KiE

    Reporteri
    29 Prill 2024 | 17:23

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka biseduar sot në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku i ka theksuar mbështetjen e Qeverisë Federale për integrimin evropian të Kosovës dhe i rikujtoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    Në njoftimin e Kancelarisë gjermane, thuhet se Scholz përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit.

    Ai poashtu nënvizoi rëndësinë e hapave konkret drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga autoritetet e Kosovës, edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Kancelari gjerman dhe kryeministri i Kosovës ranë dakord të vazhdojnë shkëmbimin e tyre të hapur dhe të orientuar drejt rezultateve dhe të mbeten në kontakt.

    Lidhur me bisedën telefonike, sot foli edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Në një postim të bërë në platformën “X”, Kurti ka treguar se e ka falënderuar Scholz për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë ndaj Kosovës.

    Poashtu, kreu i ekzekutivit ka kërkuar nga ai që Gjermani të vazhdojë mbështetjen e saj për Kosovën edhe për anëtarësimin në Këshill të Evropës.

    Kryeministri po ashtu ka thënë se ia ka rikonfirmura Scholzit angazhimin për ta zbatuar plotësisht Marrëveshjen Bazë.

    “Në një telefonatë me kancerlarin Scholz i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën dhe nënvizova shpresën se Gjermani do të mbështesë kandidaturën tonë në Këshillin e Evropës në përputhje me rekomandimet e PACE. Gjithashtu rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar Kurti në “X”./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!