×
  • Lajme
  • Lajme

    Sulmet ndaj EULEX’it dhe Policisë, ambasadori gjerman: Kjo dhunë duhet të ndalet menjëherë

    Reporteri
    11 Dhjetor 2022 | 11:39

    Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka dënuar sulmin që i është bërë një patrulle të EULEX’it derisa po patrullonin në veri.

    Në reagimin e tij, Rohde tha se dhuna ndaj pjesëtarëve të sigurisë duhet të ndalet menjëherë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “EULEX-i kontribuon në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët. Dhuna kundër EULEX-it dhe ofruesve të tjerë të sigurisë duhet të ndalet menjëherë”, ka shkruar Rohde.

    Ndaj këtij sulmi ka reaguar edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

    Hovenier tha se ShBA’të e dënojnë fuqishëm këtë sulm dhe sulmet tjera ndaj Policisë së Kosovës, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Sulme të tilla, Hovenier tha se janë të paparanueshme.

    “SHBA i bashkohet #EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrulle të EULEXIT, mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe autorët duhet të mbajnë përgjegjësi përmes sistemit të drejtësisë kosovare”, ka shkruar Hovenier.

    EULEX ka konfirmuar se në afërsi të Rudares, mbrëmë është hedhur një shok-bombë në drejtim të një patrulle vëzhguese të tyre.

    Përmes një komunikate për media, EULEX njofton se nuk ka pasur lëndime apo dëme materiale nga ky sulm, përcjell Reporteri.net.

    “Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale”, bëhet e ditur në komunikatë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!