×
  • Lajme
  • Lajme / Reagime në Beograd

    “Asnjë vendi kandidat për KiE nuk i janë kërkuar më shumë reforma se Kosovës”, në Serbi sulmojnë Bakoyannis dhe e quajnë të turpshëm raportin e saj

    Reporteri
    02 Maj 2024 | 8:38

    Drejtori i  të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka sulmuar raportuesen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës , Dora Bakoyannis, pas deklaratës së djeshme, ku ajo duke përmendur rastin e Kosovës tha se asnjë anëtari kandidat nuk i është kërkuar ndonjëherë të ndërmarrë kaq shumë reforma para se të sillet për diskutim mbi anëtarësimin e tij në KiE.

    “Turp të kesh Dora Bakoyannis! Nuk e dimë se çfarë është më keq, qoftë raporti yt skandaloz apo gjithçka që thua në mbrojtje të të ashtuquajturës Kosovë”, ka thënë Petkoviq në një postim në platformën X.

    Ai e ka cilësuar të turpshëm raportin e saj, duke pretenduar se aty nuk flitet për shkeljen e të drejtave të serbëve dhe as Asociacionin.

    “Ju përmendni gjoja reformat e shumta që i janë imponuar të ashtuquajturës Kosovë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por nuk keni thënë asnjë fjalë se Prishtina nuk e ka formuar Asociacionin e komunave me shumicë serve për 11 vjet, se çdo ditë arreston dhe rrah serbët, se Prishtina ndalon shitjen e mallrave serbe për 10 muaj, heq dinarin dhe ndalon pagat dhe pensionet për serbët, kryen spastrim etnik të serbëve, kryen dhunë institucionale, imponon kryetarë të rremë komunash në veri dhe vjedh pronat serbe. … Kjo nuk është në raportin tuaj të turpshëm”,  shkroi Petkoviq.

    Në tekstin e saj autorial për European Western Balkans, Bakoyannis ka thënë se asnjë kandidati për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk i është kërkuar më shumë reforma se Kosova para diskutimit për anëtarësimin në atë organizatë.

    Në shkrimin e saj ajo përmend se u sulmua nga lidershipi në Serbi duke e cilësuar si tradhtare.

    “Sidoqoftë, kjo e fundit nuk u kërkua kurrë. Njohja ose mosnjohja e shtetësisë është dhe do të mbetet prerogativë e shteteve. Përkundër gjithë sa u përmend më lart, unë u sulmova personalisht nga lidershipi i Serbisë. Më cilësuan si një “tradhtare të patrupshme që minon marrëdhëniet dypalëshe të vendeve tona. Asgjë nuk mund të jetë më larg nga realiteti”, ka thënë deputetja greke.

    Më 16 prill, Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, në hapin e parafundit për anëtarësimin e plotë në këtë organizëm.

    Raporti i Dora Bakoyannis bindi anëtarët e Asamblesë të cilët votuan pozitivisht rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës duke përmbyllur kështu një hap që konsiderohej tejet i rëndësishëm para se të votojnë Ministrat dhe të përmbyllet plotësisht anëtarësimi në KiE.

    Në Asamble, Dora Bakoyannis, e cilësoi Kosovën një demokraci funksionale parlamentare me garanci të forta për pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejta themelore të njeriut.

    Bakoyannis ka thënë se për të arritur një opinion pozitiv, u deshën 300 ditë, misione në Prishtinë, Mitrovicë Veriore dhe Bruksel, një ekip avokatësh të specializuar dhe dhjetëra takime me qeveritë, ambasadorët, kryetarët serbë, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, OJQ dhe organizata ndërkombëtare. /Reporteri.net/

    Rruga e Kosovës drejt KiE-së, Bakoyannis: Asnjë vendi kandidat s’i janë kërkuar kaq shumë reforma

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!