×
  • Lajme
  • Zgjedhjet Lokale 2021

    Personi me aftësi të kufizuara, që kërkon votën e prishtinasve

    Reporteri
    12 Tetor 2021 | 11:50

    Fahri Krasniqi nga Grashtica e Prishtinës tashmë është i njohur gjithandej Kosovës. Njeriu që ndërtoi minihidrocental gjatë bombardimeve të NATO-s dhe siguroi energji elektrike për tranzistorin e tij, strukthtari që vetëm me një dorë mahnit me punimet e tij artizanale, njeriu që bën unaza me 50 centë, shpikësi i çiftelisë elektronike, janë disa nga epitetet me të cilat prej vitesh njihet 40 vjeçari nga Gollaku.


    Të gjitha këto dhunti mund edhe të duken të zakonshme, sikur të mos bëhej fjalë për një njeri që si fëmijë, në moshën shtatëvjeçare, si pasojë e një aksidenti kishte humbur aftësinë fizike në dorën e majtë dhe po ashtu kishte lënduar pashërueshëm njërën këmbë.

    Por këto kufizime fizike Fahriun nuk e kanë zbrapsur përballë sfidave të jetës, përkundrazi, kanë shërbyer si motiv për të ndërmarrë aktivitete që në jo pak raste kanë ngjallur kërshërinë e mediave, duke u bërë personazh e shumë storieve televizive e artikujve të mediave të shkruara.

    Për më tepër, Fahriu është një aktivist i njohur dhe avokues i pareshtuar i të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Për vite me radhë ka monitoruar punimet e Kuvendit Komunal të Prishtinës, si përfaqësues i HANDIKOS-it.

    Por as ky angazhim për të nuk është i mjaftueshëm. Duke kërkuar hapësirë më të madhe për të shtrirë veprimtarinë e tij në artikulimin e kërkesave të personave me aftësi të kufizuara dhe realizimin e tyre, si dhe të bashkëvendasve të tij gollakas, Fahri Krasniqi i ka hyrë garës për ulëse në Asamblenë Komunale të Prishtinës, si i vetmi kandidat në kryeqytet nga kategoria e personave me aftësi të kufizuara.

    Ai garon në listën kandiduese të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe mban numrin 35.

    Në deklarimet e tij, Fahriu ka thënë se ishte kjo parti dhe kandidati i saj për kryetar, Uran Ismaili, ishin ata që i hapën dyert për të dhe nëpërmjet tij, të gjithë personave me aftësi të kufizuara, për t’u dhënë mundësi përfaqësimi në Asamblenë e kryeqytetit. Ai premton të jetë zëri i kësaj kategorie të shoqërisë dhe i bashkëvendasve të tij në këtë forum vendimmarës, pa dallim subjekti politik.

    “Konsideroj se mund të përçojë denjësisht kërkesat dhe nevojat e bashkëvendasve të mi në pushtetin komunal. Po ashtu, aktiviteti im ndër vite lidhet e kauzën e përmirësimit të kushteve të jetesës e të qarkullimit të personave me aftësi të kufizuara, prandaj dua të jem edhe përfaqësues i tyre. Kërkesat dhe nevojat janë të njejta për të gjithë qytetarët, si për ata që mbështesin PDK-në, ashtu edhe për mbështetësit e Vetëvendosjes, LDK-së e të subjekteve të tjera, prandaj unë mëtoj të jem përfaqësues i të gjithëve”, ka thënë Fahriu.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!