×
Opinione

Albin Kurti dhe Besim Beqaj

Reporteri
19 Janar 2022 | 16:13

Autor: Afrim Kasolli


Gjuha Besim Beqajt në trup të Albin Kurtit. Çfarë hibridizimi magjik. Metamorfozë mitike. Inkarnim i shpirtrave të së kaluarës në trupin e ri politik. Kryeministri sot në konferencë për shtyp vetëm sa i ringjalli jehonat e asaj retorikë. Dhe na ftojë që të mishërohemi me efektet hipnotizuese të së njëjtës melodi joshëse të sirenave mitologjike.

Asnjë ndryshim në substancë. Nuk ekziston realitet tjetër pos tregut. Dhe trupave të pavarurë administrativë që ekzistojnë jashtë kontrollit demokratik. “ZRRE dhe bordi i saj janë të pavarura dhe s’mund të ndikohen nga qeveria në marrjen e vendimeve të tyre” Ky rend tashmë ka atribute hyjnore. Do ishte sakrilegj të mendohet të korrigjohet. Mëkat ideologjik.

Individët janë vetë përgjegjës për fatin e tyre. Fati kolektiv i kësaj shoqërie mjerisht kushtëzohet nga pushteti global i bursave ndërkombëtare. Politika lokale është vetëm spektakël. Ajo s’mund të bëjë asgjë për të ofruar mbrojtje.Me masat e asketizimit qytetarët mund ta shpëtojnë veten dhe familjet e tyre. Shteti është i pafuqishëm në raport me forcat impersonale ekonomike. Madje ai ka për detyrë t’u shërbejë këtyre të fundit kundër qytetarëve të zakonshëm. Të tjerët janë fajtorë. Unë jam viktimë e veprimeve të trashëguara.

Kuptohet, çdo ideologji bënë edhe përjashtim. E këtë fat këtu e kanë serbët e veriut. Atyre shteti ua garanton të gjitha. Atyre u sigurohet mirëqenia nga tentakualat e këtyre proceseve gllabëruese.

Kryeministër vulose këtë transformim ideologjiko-politik. Emëroje ministër Besim Beqajn. Të paktën ai ka aftësi më të madhe për ta justifkuar pozicionin e ri ideologjik që po e afirmon, në dallim nga ministrat aktual mediokër që po militojnë në grigjën tënde të pushtetit. Me të të garantohet një mbijetesë me afatgjatë e qëndrimit në pushtet. Driblime më efikase. Sepse tashmë je bërë zbatues fanatik i dogmave të tij. Çfarë paradoksi. Të ndryshohen njerëzit që të përjetësohet sistemi.

Legjitimoje përfundimisht triumfin e këtij rendi post-politik. Mos jeto në dualizëm skizoid. Shpalle doktrinën e re politike dhe filozofike që je duke e jetuar sipas së cilës “politikanët dhe qeveritarët nuk e ndryshojnë realitetin, ata vetëm e interpretojnë atë për t’u akomoduar konfrom logjikës së tij”. Le të jetë kjo njëra nga tezat e manifestit të ri politik.

Dhe në fund trego se je i kapërthyer brenda “mendjes cinike” si dhe konstatimeve të Peter Sloterdijk-ut në veprën e tij “Kritika e mendjes cinike” ku i analizon transformimet e të majtës, nëpërmjet “metamorfozës komplekse të shpresës në realizëm, të revoltës në melankoli, mohimit të madh politik në një afirmimin shumëfytyrësh subpolitik dhe radikalizmit politik në një kurs mesatar të mbijetesës ditore”

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!