×
  • Lajme
  • Lajme

    Katër rastet kur Kosova përjetoi kriza politike shkaku i postit të Presidentit

    Reporteri
    14 Dhjetor 2019 | 18:21

    Posti i Presidentit të Kosovës është bërë një ‘mallkim’ për jetën politike në vend. Që nga viti 2010 ka kriza politike shkaku i kësaj pozite.


    E para ishte me Fatmir Sejdiun – i cili dha dorëheqje pasi Gjykata Kushtetuese konstatoi se ai ka bërë shkelje kushtetuese duke mbajtur njëkohësisht pozitën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai dha dorëheqje në vitin 2010 dhe vendi shkoi në zgjedhje, shkruan Reporteri.net.

    As pas këtyre zgjedhjeve nuk pati rahati. Behgjet Pacolli u zgjodh me zor president, post që e mbajti vetëm 1 muaj pasi sërish Gjykata Kushtetuese konstatoi se pati shkelje, kësaj herë gjatë zgjedhjes së tij.

    Në vitin 2011 u bënë përpjekje të mëdha për ta tejkaluar situatën e krijuar dhe ishin amerikanët që nxorën nga zarfi emrin e presidentit. Atifete Jahjaga u zgjodh në këtë pozitë për të ofruar qetësi për një mandat të plotë.

    Kur ajo përfundoi detyrën, në vitin 2016 Hashim Thaçi ishte kandidat. Me protesta, nga Vetëvendosje – brenda Kuvendit me gaz lotsjellës e jashtë me koktej molotiv -, dhe me kundërshtim të disa njerëzve brenda LDK-së ai u zgjodh president, sigurisht me ndihmën e LDK-së.

    Tash kur në skenë pritet një qeveri e re, partitë që dëshirojnë ta formojnë atë po përplasen për postin e presidentit.

    LDK e dëshiron në marrëveshje edhe postin e presidentit, e VV insiston në të kundërtën, që për këtë të bisedohet më vonë, kur Thaçi ta përfundojë mandatin, në prill 2021, shkruan Reporteri.net.

    Dhe ky post po e bllokon një marrëveshje mes tyre tash e dy muaj. Qëndrimet janë që nëse nuk ka pajtueshmëri për postin e presidentit, nuk ka fare marrëveshje. Një gjë e tillë ose do të imponojë koalicion tjetër ose zgjedhje të reja.

    Pra, sërish një krizë politike?! /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!