×
  • Lajme
  • Lajme / Rruga drejt KiE-së

    “Absurde, s’prisnim pengesa nga shtetet që e kanë përkrahur Kosovën” – krejt çka tha Kurti për kushtëzimin rreth Asociacionit

    Reporteri
    08 Maj 2024 | 14:58

    Qeveria e Kosovës nuk pranon që anëtarësimi në Këshill të Evropës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Kështu tha sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga mbledhja e Qeverisë. Kurti tha se Kosova e meriton anëtarësimin në KiE pasi plotëson standardet e kërkuara, por shtoi se kërkesa për Asociacionin, si kusht për t’i hapur rrugë Kosovës drejt KiE-së, është absurde dhe joparimore. Kurti u shpreh i zhgënjyer edhe me aleatët e Kosovës, teksa tha nuk e mendonin që shtetet që kanë qenë përkrahëse të Kosovës drejt çlirimit dhe pavarësimit, do të ishin pengesë për rrugën drejt KiE-së, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Qeveria ka punuar parreshtur dhe ka bërë çdo veprim për të plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Ne duam anëtarësim meritor. E meritojmë anëtarësimin në KiE pasi ndajmë vlerat e përbashkëta dhe plotësojmë standardet e kërkuara. Anëtarësimin e shohim sidomos për nga përfitimet që sjell për qytetarët, veçanërisht për komunitetet joshumicë duke ju dhënë qasje në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut. Qeveria nuk e ka pranuar draftin e emisarit Miroslav Lajçak sepse ai është refuzuar me 26 tetor 2023, e dy ditë para kësaj unë kam dorëzuar vërejtjet e mia kapitale për atë draft-statut. Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë Bruksel dhe jo në Strasburg. Neni 7 dhe 10 nuk mund të nxirret jashtë marrëveshjes, si një çështje urgjente”, tha Kurti.

    Kurti rikujtoi se Kosova ka pranuar që draft statuti i Asociacionit i sjellë nga emisari Lajçak dhe këshilltarët diplomatikë të QUINT-it në tetor të vitit të kaluar, të bëhej pjesë e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit, por ka qenë refuzimi i Serbisë, ai që ka bërë që ky dokument të mos zyrtarizohet.

    Si i tillë, Kurti tha se nuk mund të dërgohet në Kushtetuese.

    “Në njërën anë Kosova po përparon nga viti në vit në indekset e demokracisë, sundimit të ligjit, reformës në drejtësi, lirive civile, të drejtave politike të vlerësuara nga institucione prestigjioze të pavarur ndërkombëtare. Në anën tjetër kemi një sistem ligjor me të drejta të avancuara për minoritetet dhe një kushtetutë e cila e ka përbrendësuar njëanshëm obligimet që dalin nga Këshilli i Evropës, si konventa evropiane për të drejtat e njeriut, konventa për të drejtat e minoriteve dhe ajo e Stambollit. Kjo na ka bërë të lehtë kalimin me sukses në të gjitha fazat e anëtarësimit në KiE. Pas tërë këtij rrugëtimi të shoqëruar me progres të vazhdueshëm dhe vlerësimeve pozitive nga vetë Këshilli i Evropës, në këto javët e fundit u përballëm edhe me një kusht të ri, i cili nuk ka të bëjë aspak me standardet e anëtarësimit në këtë organizatë. Pas kushtit që të zbatohet një aktvendim i gjykatës Kushtetuese, kusht ky që hynë në fushën e sundimit të ligjit në kuadër të Këshillit të Evropës, dëgjuam se ka kryeqytete që tash po kushtëzojnë finalizimin e procesit të anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në Kushtetuese. Ky dokument i sjellë te ne nga Lajçak, së bashku me këshilltarët diplomatikë të shteteve të QUINT-it nuk u pranua më 24 tetor.

    Kosova ka ofruar që ai dokument të bëhej pjesë e pakos së Marrëveshjes Bazike dhe të nënshkruhet për t’u bërë ligjërisht i obligueshëm, por u refuzua nga Serbia. Nëse me datë 26 tetor do të pranohej e nënshkruhej paketa e marrëveshjes në Bruksel, vetëm atëherë ai draftstatut do të mund të dërgohej në Kushtetuese. Draft statuti i Lajçakut dhe zyrtarëve të tjerë të QUINT dështoi të zyrtarizohej pasi u refuzua. Si dokument është një jodokument, pra një “non paper”. Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente që nuk i ka pranuar e nuk janë zyrtare në Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde, e përkundër kësaj tri herë u tentua që të futej kjo kërkesë si parakusht për anëtarësim. Dy herë në Komitetin për çështje politike për Demokraci e po ashtu gjatë mbledhjes së Asamblesë, por që u refuzua. Kjo kërkesë jo vetëm që nuk është parimore, po ajo është refuzuar tri edhe nga vetë instancat e KiE”, tha Kurti.

    Kurti shtoi se, përtej garancive që ka ofruar në letër me zotime bashkë me presidenten Osmani dhe kryeparlamentarin Konjufca, nuk mund të kërkohet.

    “Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonim nga vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por assesi nuk mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike, që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokraci, e më herët ishin krah neve për çlirim e pavarësim”, ka thënë ai, në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

    Kurti: Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacionin

    Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, Kurti tha se nuk ka se çfarë të bëhet më shumë, pasi janë plotësuar të gjitha kushtet. Kreu i qeverisë tha se përgjigjja se çka do të bëhet me anëtarësimin e Kosovës në KiE nuk është më në Prishtinë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Sipas Kurtit, Kosovës i janë bërë shumë padrejtësi në të kaluarën.

    “Më besoni që po të varet prej meje do të vendosej në agjendë, dhe do të vendosej për Kosovën. Me 82% Asambleja Parlamentare ka votuar për Kosovën. Nuk mund ta marrë atë rol që të flas në vend të shteteve aty. Çka s’paska plotësuar Kosova. Pse Raporti konstaton në mënyrë të qartë vlerësimin më të lartë për Kosovën. Nuk kemi çka të bëjmë më shumë, shpresoj më të mirën dhe për 17 maj, përgjigja në pyetjet se çka do të bëhet me anëtarësimin e Kosovës, nuk është më në Prishtinë, ka plotësuar gjithçka, ka përjetuar shumë padrejtësi në të kaluarën. S’kemi përgjegjësi e as faj për këtë gjë”, tha Kurti.

    Rreth asaj se a mund të izolohet Kosova, Kurti tha se s’mund të flasim për izolim kur sivjet ka ndodhur liberalizimi.

    “Nuk izolohet Kosova, duhet të jemi të ndjeshëm edhe ndaj kërkesa të aleatëve, por e kemi Ligjin dhe Kushtetutën. Bashkëpunojmë me ndërkombëtarët edhe me shtetet skeptike e shtetet mosnjohëse. Izolimi nuk është askund. S’mund të flasim për izolim kur ka ndodh liberalizimi i vizave”, tha Kurti.

    Kryeministri Kurti tha se ka rend të dakordimeve, fillimisht marrëveshja bazike e pastaj aneksi i zbatimit.

    “Nuk ka mundësi nga pikëpamja e qeverisë që të flitet për Asociacion pa ja filluar rend nga marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit. Pra rendi i dakordimeve është i këtillë. Me 18 mars vitin e kaluar në Ohër, kam ofruar që ta shkruaj draft-statutin me tri shtylla. Nuk dëshironin të dëgjonin për këtë dhe për më tepër m’u tha që ekipi menaxhues e shkruan draft-statutin. Vërejtja ime ishte unë jam krymenaxheri si kryeministër, mund ta shkruaj, jo më thanë duhet ekipi meanxhues”, tha ai.

    “Ndërkombëtarët e panë që me atë ekipin meanxhues s’ka ku shkohet, unë propozova konceptin e modelit kroat, por u refuzua, sepse Serbia me Kroacinë kanë marrëveshje, e dyjat kanë dalë nga lufta, dhe Kroacia është në BE dhe NATO, e morra një shembull brenda përvojës së Beogradit Zyrtar, por kjo u refuzua. Refuzimet ndodhën. Nuk mund të kthehemi në vitin 2013, dhe sot me 8 maj kërkesa për ta bërë kusht e parakusht është rrëzuar tri herë. Po folim për një temë që ka marrë votë negative tri herë. Dy herë në Këshill dhe një herë në Asamble Parlamentare. E kemi të pamundur të bëjmë më shumë se biem në kundërshtim edhe me Asamblenë. Tash ne presim që gjithçka të shkoj mbarë e mirë me datën 17 maj, nuk varet veç prej neve, varet pre atyre që votojnë atje”, tha kryeministri Kurti./Reporteri.net/

    Kurti: Përgjigjja për anëtarësimin në KiE s’është më në Prishtinë, kërkesa që Asociacioni të jetë kusht është rrëzuar tri herë

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!