×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Hyseni, “Baba i Tenderëve” & CO. shpërblejnë me 8.6 milionë Euro tender dostin e zv.ministrit Durmishi

    Reporteri
    22 Qershor 2023 | 13:08

    Nexhat Krasniqi, i njohur si “Baba i Tenderëve”, del se për Lëvizjen Vetëvendosje nuk është më “kriminel” e i korruptuar, siç parapëlqenin ta quanin atë para se të vinin në pushtet. Ai po vazhdon punën e tij me tenderë, kur LVV’ja është gati ta mbushë të plotë vitin e 3-të të qeverisjes. Madje, pushteti i LVV’së, shefit të Prokurorimit në Ministri të Infrastrukturës edhe “ia ka kompletuar ekipin” duke ia kthyer Izedin Bytyqin në këtë ministri. Rezultati: “Maestrot e kurdisjes së tenderëve” kanë shpërblyer me hiq më pak se 8.6 milionë Euro dostin e Hysen Durmishit. Nënshkrim për këto mbi 8 milionë Euro për dostin, qiti edhe vetë zëvendësministri i Infrastrukturës.

    Ministria e Infrastrukturës e ka shpërblyer me tender 8.6 milionë euro grupin e operatorëve ekonomikë, Bageri, Asfalti dhe El Bau. Mbi kontratën ekziston një dyshim. Miqësia mes Bujar Shabanit, pronar i kompanisë Bageri dhe Hysen Durmishit, zëvendësministër i Infrastrukturës mund të jetë bërë shkak i ujdisë mes palëve.

    Numri dy i Infrastrukturës tha se nuk është ai që jep tenderë. Hulumtimi i Institutit për Hulumtime Front e dëshmon të kundërtën. Ishte vetë ai që e hodhi nënshkrimin në letër më 19 qershor të këtij viti.

    Marrëveshja obligon konsorciumin të përfundojë punimet e lotit të dytë të rrugës Prishtinë – Besi – Podujevë. Projekti është i ndarë – krahas këtij – edhe në katër lote tjera, për çka u kontraktuan kompani të ndryshme kosovare.

    Më së shumti do të kushtojë loti i tretë, 9.2 milionë euro. Pastaj loti i dytë, 8.6, ai i parë 8.4, loti zero – 6.1 dhe ai i pestë, 1.4 milionë sosh. Rreth 35 milionë në total realizimi i krejt planit infrastrukturor. Ministria e Infrastrukturës ka aplikuar procedurën e hapur në këtë aktivitet prokurimi.

    Zv/ministri Durmishi e mohon ndikimin, kompania hesht

    Për lotin e dytë, mbi të cilin ekzistojnë dyshimet se në epilogun e tenderit ndikoi lidhja politikë – biznes, garuan 17 kompani.

    Oferta prej 8.6 milionë euro e grupit të operatorëve ekonomikë, Bageri, Asfalti dhe El Bau nuk ishte më e lira. Megjithatë u përzgjodh si më e mira e mundshme në fund, meqë shtatë kompanitë e tjera që ofertuan më lirë u eliminuan për shkak siç u tha mos përmbushjes së kritereve të kërkuara në Dosjen e Tenderit.

    Hysen Durmishi e ka pranuar publikisht miqësinë me Bujar Shabanin, pronarin e njërës prej kompanive fituese. Megjithatë, ai ka mohuar çdo ndikim të mundshëm në përzgjedhjen e kompanisë Bageri dhe dy tjerave, Asfalti dhe El Bau si fituese të lotit të dytë.

    “A nuk po keni me çka me u merr a. Nuk jap tenderë unë. Me to merret Zyra e Prokurimit. Nuk ka ndikuar në dhënien e këtij loti”, u shpreh Durmishi për “IFront”.

    Në anën tjetër, nga kompania nuk kanë kthyer përgjigje që nga java e kaluar, përkundër që pyetjet i janë drejtuar në adresë elektronike.

    Telashet e pronarit të kompanisë me ligjin

    Pronari i kompanisë Bageri, Bujar Shabani ka telashe me ligjin.

    Mbi të rëndon akuza për “keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” në një tender rreth 4 milionë eurosh për zgjerimin e rrugës së fshatit Bibaj dhe kyçjen e saj në autostradën “Arbën Xhaferi”.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 26 prill 2022 nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, në muajin mars të vitit 2019, i pandehuri si pronar i Operatorit Ekonomik NPSH ‘Bageri’, me seli në Ferizaj, me vetëdije kishte shkelë rregullat e prokurimit publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokument të rremë, në atë mënyrë që me rastin e ofertimit në projektin ‘Zgjerimi i rrugës në fshatin Bibaj, kyçja në autostradë Arbër Xhaferi’, me numër të prokurimit 656-19-3136-511 dhe ofertimin në projektin ‘Asfaltimi i rrugëve në fshatin Jezerc’, me numër të prokurimit 656-19-3386-511, kishte ofruar të dhëna të rreme, përkatësisht kishte falsifikuar kontratat e punës të lidhura me të dëmtuarit Arben Vranovci dhe Violeta Aliu, duke ndërruar përmbajtjen e kontratave të punës, raporton Betimi për Drejtësi.

    Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri Shabani e po ashtu pa lejen dhe dijeninë e të lartcekurve kishte përdorur diplomat e kualifikimit universitar, CV-të, referencat si dhe licencën për kryerjen e matjeve kadastrale në emër të Violeta Aliut, me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit në vendimin e një autoriteti kontraktues në procedurën e prokurimit publik, me ç’rast i njëjti është përzgjedhur si tenderues i suksesshëm duke përfituar projektin trevjeçar ‘Asfaltimi i rrugëve në fshatin Jezerc.

    I pandehuri është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzës.

    Ndërkaq sipas organizatës AVONET, kompania Bageri edhe në një aktivitet tjetër prokurimi ka aplikuar me dokumente të falsifikuara. Bëhet fjalë për kontratën: Ndërtimi i rrugëve në lagjet Sllovi, Gadime, Smallushë, Gumnasellë, Llugaxhi dhe Babush, i cili kap vlerën e 734 mijë eurove. /iFront/FrontOnline/.

    Kompania ku punoi Hysen Durmishi e që u shpërblye me tender nga MMPHI dyshohet për shmangie nga tatimi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!