×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Viti 2021 karakterizohet me rritje ekonomike prej 9.9%.

    Reporteri
    03 Janar 2022 | 9:25

    Viti 2021 konsiderohet si i suksesshëm për Kosovën, pasi ekonomia e saj u rrit për më shumë se 9 për qind. Kryeministri Albin Kurti kishte thënë se vendi ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike gjatë qeverisjes së tij, duke e krahasuar Kosovën me shtetin kroat. Ndërsa sipas kreut të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, rritja është arritur edhe falë rritjes së remitencave të diasporës të cilat këtë vit janë mbi 900 milionë euro.

    Për dallim prej vitit 2020 kur ekonomia kosovare kishte shënuar rënie për shkak të pandemisë, viti 2021 karakterizohet me rritje ekonomike prej 9.9%.  Këtë e bëri të ditur Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti, i cili tregoi për  indikatorët e kësaj rritje ekonomike. Ai tha se 2021 ka qenë vit i suksesshëm financiar në Kosovë.

    “Lehtësirat e qytetarëve brenda dhe jashtë shtetit bëri që viti 2021 të jetë një vit i suksesshëm duke pasur parasysh ardhjen e masive të diasporës gjatë verës dhe njëkohësisht politikat mbështetëse të Qeverisë së Kosovës dhe politikat mbështetëse të Bankës Qendrore të Kosovës bënë që viti 2021 sipas vlerësimeve tona të ketë rritje ekonomike në vend prej 9.9 për qind”, tha Mehmeti për televizionin publik.

    Mehmeti tha se remitencat sivjet kanë qenë 956 milionë euro, duke shënuar rritje prej rreth 20 për qind, gjë që, siç tha ai, bëri që të rriten kërkesat e brendshme dhe importi. Sa i përket investimeve të huaja direkte, vlera e tyre sipas BQK-së deri në shtator të vitit 2021 arriti në 389 milionë euro.

    E importet e Kosovës në nëntor nga vendet e BE-së shënuan 190.0 milionë euro, ose 44 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 39 për qind.

    Përderisa ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje, sipas Bashkimit të Sidikatave të Pavarura të Kosovës, duhet të rishikohet edhe paga mesatare e cila nuk ka luajtur që nga viti 2011 e që kjo është në kundërshtim me ligjin.

    Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Atdhe Hykolli,  ka thënë se po kërkojnë që paga minimale të rritet në 350 euro.

    “Kemi ardhur në përfundim se paga minimale, për të zbutur sadopak situatën, duhet të ishte 350 euro, por prapë kjo negociohet me Këshillin Ekonomiko Social dhe partnerët socialë, dhe duhet sa më shpejt të ulemi t’ia rekomandojmë qeverisë rritjen për pagën minimale.”

    Kosovën e përcolli një rritje e madhe e çmimeve sidomos gjatë tre mujorit të  vitit 2021. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shtator 2021 me muajin shtator 2020 ishte 4.9%. Ndërsa norma vjetore e inflacionit e matur në muajin tetor 2021 me muajin tetor 2020 ishte më e lartë për 5.7%. Dhe norma vjetore e inflacionit e matur në muajin nëntor 2021 me muajin nëntor 2020  u shënua  6.9%. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit të gjerë, lëndë djegëse të ngurta, karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal e të tjera.

    Një problem i madh që po ndikon edhe në të bërit biznes është mungesa e energjisë e cila u shfaq së fundi në Kosovë.   Kuvendi i Kosovës me 29 dhjetor  shpalli gjendje emergjente të energjisë në vend, duke i dhënë përkrahje vendimit të Qeverisë për masat emergjente për kufizim të furnizimit me energji. Vendimi nënkuptonte që bëhet i ligjshëm reduktimi i energjisë dhe kjo masë do të vlejë 60 ditë. Masat emergjente përfshijnë vendosjen e kufizimit në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!