×
  • Lajme
  • Lajme / Flet Zëvendëskryeministrja

    Emilija Rexhepi për Asociacionin: Ndarja e një komuniteti dhe dhënia e privilegjeve vetëm për ta, për ne është e papranueshme dhe fyese

    Autor:Egzona Krasniqi
    07 Nëntor 2023 | 11:03

    Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi ka folur për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një draft të ri të së cilit është prezantuar më 21 tetor nga pesëshja perëndimore.

    Rexhepi e cila vjen nga komuniteti boshnjak, ka thënë se ndarja e një komuniteti dhe dhënia e privilegjeve vetëm për një komunitet, për ta është e papranueshme dhe fyese.

    Në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, Rexhepi e bën krahasimin me Republikën Srpska në Bosnjë, e cila, thotë ajo gjatë gjithë këtyre viteve vazhdimisht ka stagnuar procesin e integrimeve evropiane dhe zhvillimit normal ekonomik në atë pjesë.

    Rexhepi thotë se formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, me gjithë fuqinë e madhe të trashëguar më parë si pjesë e Marrëveshjes së Brukselit është krijimi i një shteti të ri brenda atij ekzistues, gjë që ajo shton se do ta destabilizonte edhe më shumë Kosovën.

    “Qëndrimi im personal, si dhe qëndrimi i komuniteteve tjera joshumicë që jetojnë në Kosovë, është një jetë e qetë, paqësore dhe e sigurt për të gjithë ne dhe fëmijët tanë në frymën e harmonisë dhe jetesës së përbashkët për të gjithë, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe kombëtare. Ndarja e një grupi etnik nga pjesa tjetër e njerëzve dhe dhënia e privilegjeve është e papranueshme për ne. Dhe fyese”.

    “Ne konsiderojmë se jemi të gjithë kosovarë, se duhet të respektojmë dhe vlerësojmë njëri-tjetrin, të jetojmë së bashku dhe të krijojmë prosperitet dhe një jetë më premtuese për të gjithë ne”.

    “Formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të vendit tonë me gjithë fuqinë e madhe që kemi trashëguar më parë si pjesë e Marrëveshjes së Brukselit është krijimi i një shteti të ri brenda atij ekzistues (këtë e kemi në Bosnjë, Republika Srpska, e cila gjatë gjithë këtyre viteve vazhdimisht ka stagnuar procesin e integrimeve evropiane dhe zhvillimit normal ekonomik), shpresoj që bashkësia ndërkombëtare të mos na imponojë diçka të tillë,  që do ta destabilizonte edhe më shumë Kosovën”, ka thënë ajo për gazetën online Reporteri.net.

    Rexhepi shton se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do ta hapte “kutinë e Pandorës”, edhe për komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë, të cilët mund të kërkojnë diçka të tillë.

    “Për mua, serbët janë njësoj qytetarë të vendit tonë, si shqiptarët, boshnjakët, turqit, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët, romët, si dhe të gjithë popujt e tjerë, dhe në këtë kuptim, të gjithë ne, së bashku me specifikat dhe dallimet e ndryshme, duhet të pranojmë njëri-tjetrin në baza të barabarta, ashtu siç kemi punuar dhe jetuar bashkë shekuj më parë, nëse ndahemi tani dhe territorialisht sipas komunave, nuk do të kemi të ardhme të përbashkët.

    Dhe pse serbët  duhet të kenë komunat e tyre, atëherë unë  para popullit boshnjak do të kërkoj formimin e komunave ku jetojnë boshnjakët në shumicë, pra dikush tjetër do të kërkojë nga qeveria formimin e komunave të tjera, askush nuk mund të na e mohojë këtë të drejtë, hapja e kutisë së Pandorës nuk na jep të drejtën dhe privilegjin vetëm  një populli”, ka thënë ajo për Reporteri.net. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!