×
  • Lajme
  • Lajme

    Haga s’tregon nëse Salih Mustafa e di identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur, thotë se fshehja parashihet me ligj

    Reporteri
    23 Shtator 2021 | 16:49

    Autor: Mirlind Behluli


    Gjykimi ndaj Salih Mustafës po vazhdon në Gjykatën Speciale. Për katër ditë me radhë gjatë kësaj jave ka dhënë dëshminë dëshmitarët e fshehur, të cilët e kanë akuzuar ish-komandantin e UÇK-së për rrahje dhe tentim vrasje duke theksuar se Mustafës nuk i shkrepi revolja kur sipas tij tentoi ta vriste atë gjatë luftës.


    Dëshmitarët e mbrojtur të Prokurorisë së Specializuar dhanë dëshminë e tij, megjithatë identiteti i tyre nuk u bë publik. Madje atyre iu deformua zëri e shpesh Specialja ndërpreu transmetimin për shkak të përmbajtjes së redaktuar.

    E në media u raportua se përveç fshehjes së identitetit nga publiku i gjerë, as i pandehuri dhe avokatët e tij nuk kanë mundësi ta shohin fizikun e dëshmitarëve pasi që ata dëshmojnë prapa një perdeje.

    Gazeta Online Reporteri.net ka pyetur Dhomat e Specializuara nëse Mustafa ose avokatët e tij janë në njohuri të identitetit të dëshmitarëve, por e njëjta nuk është përgjigjur konkretisht.

    Megjithatë, Specialja ka thënë se Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Rregullorja e Procedurës dhe Provave parashikojnë mundësinë që gjykatës të urdhërojnë një sërë masash mbrojtëse për dëshmitarët.

    “Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (neni 23), i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, dhe Rregullorja e Procedurës dhe Provave (rregulla 80) parashikojnë mundësinë që gjykatësit të urdhërojnë një sërë masash mbrojtëse për dëshmitarët, përfshirë mbrojtjen e identitetit të tyre. Masa të tilla vendosen nga gjykatësi i procedurës paraprake ose nga trupi gjykues sipas rasteve. Në këtë rast, dëshmitari dëshmon në sallën e gjyqit, megjithatë identiteti i tij mbrohet nga publiku përmes përdorimit të një pseudonimi, ndryshimit të fytyrës dhe të zërit”, thuhet në përgjigjen e Speciales për Reporteri.net.

    Sipas, avokatit Armend Shkoza mbrojtja e dëshmitarëve parashihet me ligj dhe se mund të përfshijë cilëndo informatë që mund të cenojë sigurinë dhe integritetin e dëshmitarit apo viktimës.

    Megjithatë, një gjë e tillë e kufizon mundësinë që mbrojtja të kontestojë kredibilitetin e dëshmitarëve anonim.

    “Mirëpo ajo që duhet pasur parasysh, e që realisht njihet edhe në praktikën e GjEDNJ-së, është se meqenëse në rastet kur për dëshmitarin ndaj të cilit lëshohet urdhri i anonimitetit bëhet kufizimi i mundësisë që mbrojtja edhe përmes tipareve individuale dhe identifikuese për ta kontestuar kredibilitetin e tyre, Gjykata duhet të ketë kujdes të shtuar me rastin e ushtrimit të diskrecionit mbi çmuarjen e lirë të të provuarit, duke arsyetuar këtë bindje në një mënyrë më të thukët kur kemi të bëjmë me faljen e besimit për dëshmitë e dëshmitarëve të tillë ”, tha Shkoza.

    Shkoza beson se Specialja e ka në konsideratë një standard të tillë.

    “Për faktin se dëshmitari duke qenë subjekt dhe jo objekt, siç janë mjetet provuese siç janë provat materiale, kanë tipare personale dhe individualitet sa i përket funksionit të tyre provues në procedurë. Andaj, në rastin konkret, besoj se DhS-ja e ka në konsideratë standardin e tillë që do të duhet të zbatoheshin me rastin e shqyrtimit dhe trajtimit të dëshmive të tilla që do të administrohen në këto procedura”, tha Shkoza për Reporteri.net.

    Ndryshe, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut është marrë me ndërlidhshmërinë e vlerës së besueshmërisë dhe nevojës për njohjen e identitetit të dëshmitarit si para kusht për të sfiduar këtë besueshmëri.

    GjEDNJ në rastin “Al-Khawaja dhe Tahery kundër Mbretërisë së Bashkuar”, në vitin 2011 pati vendosur se vlera e dëshmisë varet nga besueshmëria e dëshmitarit dhe se për të sfiduar atë besueshmëri kërkohet njohuria për identitetin e dëshmitarit.

    Kujtojmë që gjykimi ndaj komandant Cali po vazhdon edhe ditën e enjtje.

    Salih Mustafa, i njohur në luftë si “komandant Cali” është i arrestuari i parë nga Specialja dhe ky është gjykimi i parë në Dhomat e Specializuara.

    Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit, dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.

    Në fjalën e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!