×
  • Lajme
  • Lajme

    I dyshuari për vrasjen e gruas në Pejë kishte qenë i dënuar më parë për dhunë në familje

    Reporteri
    16 Prill 2024 | 12:24

    Prokurori i krimeve të rënda në Pejë, Ersan Qavolli ka dhënë detaje lidhur me rastin e vrasjes së rëndë të gruas në Pejë.

    Ai tha se bëhet fjalë për një vrasje makabre dhe se rasti është shumë i ndjeshëm.

    “Bëhet fjalë për një vrasje makabre që ka ndodhur në qytetin e Pejës. Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, si dhe i pandehuri është ndaluar për 48 orë”, ka thënë prokurori Qavolli para mediave.

    Qavolli konfirmoi se i njëjti në vitin 2021 e ka pasur një aktgjykim për një rast të dhunës në familje.

    “Sigurisht që menjëherë e kemi bërë nxjerrjen e të kaluarës kriminale. Kemi informata që i njëjti ka pasur vepra të dhunës në familje për një rast të mëhershëm në vitin 2021.

    Detaje për rastin ka dhënë edhe kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj. Ai për gazetën online Reporteri.net ka konfirmuar se ka ndodhur në banesën e çiftit.

    Kurmheaj po ashtu ka thënë se çifti kanë tre fëmijë, por nuk konfirmoi se ata kanë qenë prezent momentin kur dhe ka ndodhur ngjarja tragjike.

    “Rasti ka ndodhur diku rreth orës 9 në mëngjes dhe dyshimet e para janë që bashkëshorti e ka privuar nga jeta me revole bashkëshorten e vet. Është prangosur i dyshuar dhe tash jemi duke i marrë informatat tjera shtesë rreth ngjarjes qe ka ndodhur. Ngjarja ka ndodhur në banesë por më vonë do të japim informata tjera. Çifti kanë tre fëmijë, por për momentin s’mund të them nëse kanë qenë prezent kur ka ndodhur rasti”, tha Kurmehaj për Reporteri.net.

    Flet Kryeprokurori i Pejës: Ngjarja ndodhi në banesë, çifti kanë tre fëmijë

    Gazeta Online Reporteri.net raportoi në mëngjes se i dyshuari për vrasjen është bashkëshorti i gruas, Edmond Lajqi.

    Në vendin e krimit siç konfirmoi policia është konfiskuar edhe një armë zjarri.

    Viktima e sotme është gruaja e dytë e vrarë në më pak se një javë në Kosovë.

    Të premten një 21-vjeçare mbeti e vdekur pasi u qëllua me armë zjarri në objektin e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. I dyshuar në këtë rast është 36-vjeçari Valon Aliu, ish bashkëshorti i saj./Reporteri.net/

    Dy gra të vrara brenda pesë ditësh në Kosovë, mblidhen institucionet e drejtësisë – situata po konsiderohet alarmante

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!