×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Pagat e qeveritarëve: 689 mijë euro kushtonte viti me Haradinajn, 279 mijë do të kushtojë me Kurtin

    Reporteri
    12 Shkurt 2020 | 16:06

    Në vendimin e 20 dhjetorit 2017, Qeveria Haradinaj kishte vendosur për rritje të pagave për 100 për qind. Ish-kryeministri Haradinaj nga 1500 euro, e kishte bërë pagën 2950 euro.


    Por pasardhësi i Haradinajt, Albin Kurti, në mbledhjen e dytë të Qeverisë të cilën ai e udhëheqë, ka shfuqizuar këtë vendim, shkruan Reporteri.net.

    Për dallim nga kryeministri aktual, Albin Kurti, i cili pagën vjetore e ka 18,000 euro, një vit punë e Haradinajt buxhetit të shtetit i kushtonte hiç më pak se 35,400 euro.

    Po ashtu, edhe zëvendëskryeministrave, ministrave dhe zëvendësministrave, të cilët në bazë të këtij vendimi morën paga të majme nën qeverisjen e Haradinajt, tanimë paga pothuajse u është përgjysmuar.

    Pjesë e kabinetit qeveritar të Haradinajt ishin 5 zëvendëskryeministra, të cilët me vendimin për rritjen e pagave paguheshin me nga 2500 euro në muaj. Për një vit, nga arka e shtetit shpenzoheshin 150,000 euro për pagat e zëvendëskryeminstrave Behgjet Pacolli, Enver Hoxhaj, Fatmir Limaj, Dardan Gashi dhe Dalibor Jevtiq.

    Ndryshe nga Ramush Haradinaj, Qeveria Kurti ka vetëm dy zëvendëskryeminstra. Avdullah Hoti dhe Haki Abazi paguhen me nga 1.356,3 euro. Kjo buxhetit të shtetit në vit i kushton 32.551,2 euro.

    Qeveria Haradinaj kishte 21 ministri, kurse kjo e Kurtit ka vetëm 15. Në qeverisjen e Haradinajt, 21 ministrat paguheshin me nga 2 mijë euro, ndërsa ministrat e Kurtit tash do marrin pagë nga 1,270.

    Nga 504 mijë eurot e shpenzuara për pagat e ministrave, tani do harxhohen vetëm 228,600 euro.

    689.400 euro është gjithsej shuma e shpenzuar nga buxheti i shtetit për pagat vjetore të kryeministrit, zëvendëskryeministrave dhe ministrave të qeverisë Haradinaj.

    Ndërkohë, shpenzimet e qeverisë Kurti për këto paga janë rreth 2,5 herë më të ulëta. Kjo pasi që për paga vjetore nga buxheti i shtetit do të harxhohen gjithsej 279.151,2 euro.

    Për një mandat katër vjeçar të ekzekutivit të udhëhequr nga Albin Kurti, do shpenzohen
    1 milion e 116 mijë e 604 euro e 80 centë, ndërsa për 25 muaj të qeverisjes së Haradinajt, 12 milionë e 600 mijë euro janë shpenzuar për paga të udhëheqësve institucional.

    Kabineti qeveritar i Albin Kurtit në mbledhjen e dytë të Qeverisë, po ashtu ka marrë vendim për shkarkimin e koordinatorëve nacionalë, pozitë kjo që u konsiderua se u shpik gjatë qeverisjes së PAN-it për të rehatuar njerëz.

    Disa nga këta koordinatorë u dorëhoqën nga këto institucione, kurse shumica deri në ditët e fundit morën rroga e punuan si koordinatorë.

    Kujtojmë se vendimi i marrë sot në Qeverinë Kurti vlen, të paktën, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagat në Sektorin Publik./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!