×
  • Lajme
  • Lajme

    “Përtokë”, IPK po heton policët që e rrahën të lidhur të riun që provoi të arratiset në Prishtinë

    Reporteri
    09 Qershor 2021 | 23:19

    Gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Prishtinë, në afërsi të Shërbimit Spitalor të Kosovës, i cili kishte sulmuar një zyrtar policor.


    Sipas pamjeve të publikuara në Reporteri.net, shihet se policia u detyrua ta arrestojë këtë qytetar nën drejtimin e armës, pasi i njëjti refuzoi të dorëzohej.

    Madje pati edhe akuza ndaj policisë për përdorim të dhunës, pasi në disa pamje të tjera, policia shihet duke përdorur dhunë ndaj këtij qytetari edhe pasi atij i ishin vënë prangat.

    Siç shihet në pamje, pas arrestimit të tij, policit që e arrestoi i vijnë si përforcim edhe dy policë të tjerë, të cilët ushtrojnë dhunë duke e goditur me grushte e në kokë.

    E lidhur me këtë ngjarje, në një përgjigje për Gazetën Online “Reporteri.net”, Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se pas publikimit të pamjeve, ka filluar të grumbullojë informacione lidhur me këtë rast bazuar në autorizimet ligjore të saj.

    “Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se IPK pas publikimit të pamjeve ka filluar të grumbullojë informacione lidhur me këtë rast bazuar në autorizimet ligjore të saj.Një ekip e hetuesve është angazhuar drejt ndriçimit të rrethanave dhe vlerësimit të proporcionalitetit të përdorimit të forcës nga zyrtarët policorë. Veprimet tjera pritet të ndërmerren bazuar në fushëveprimin ligjor të saj. Me respekt Inspektorati Policor i Kosovës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Reporteri.net.

    Tutje, Reporteri.net pak minuta më parë raportoi se personi që u arrestua sot, një ditë më parë e kishte rrahur nënën e tij, ndërsa më pas është dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh.

    Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

    “I dyshuari është arrestuar dje nga ana e policisë pas denoncimit për një rast të dhunës në familje. I njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh dhe  pasi që ka shfaqur sjellje agresive të pakontrolluara me rekomandim të prokurorit të shtetit ai  është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Përderisa sot policia ka qenë në monitorim të tij në QKUK, i njëjti ka sulmuar policinë duke ju shkaktuar lëndime trupore dhe ka shfrytëzuar momentin për të ikur nga aty.”

    “Përkundër rrethanave të krijuara policia  është  vënë në ndjekje të tij dhe pak më larg vendit të ngjarjes i njëjti është arrestuar nga ana e policisë. Aktualisht janë duke u trajtuar rrethanat në të cilat është zhvilluar ngjarja me qëllim zbardhjen e plotë të tyre”, thuhet në përgjigjen e PK-së për Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!