×
  • Lajme
  • Lajme / Java e pestë

    Ambasada e Kosovës në SHBA thirrje mërgimtarëve të regjistrohen

    Reporteri
    10 Maj 2024 | 9:56

    Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u ka bërë thirrje mërgimtarëve që të regjistrohen, duke u thënë se nuk merr kohë më shumë se 10 minuta.

    Në faqen e Ambasadës është publikuar linku për regjistrim, derisa thuhet se regjistrimi asnjëherë nuk ka qenë me i lehtë.

    “Regjistrimi nga Diaspora, asnjëherë nuk ka qenë më i lehtë. Mjafton një kyçje në internet për t’iu bashkuar regjistrimit online dhe për t’u bërë pjesë e numërimit të popullsisë së shtetit tënd amë. Regjistrohu brenda 10 minutave përmes: https://rekos2024diaspora.rks-gov.net/”, thuhet në njoftim.

    Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka bërë të ditur se në javën e pestë të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, janë regjistruar 1,204,560 qytetarë.

    Kësisoj kanë mbetur edhe pak takime deri tek të dhënat preliminare.

    “Në përgjithësi projekti për regjistrimin e popullsisë është duke iu ofruar fundit dhe nuk kemi probleme të aspektit në terrenit. Njëkohësisht nuk kemi refuzime të mëdha të qytetarëve edhe ato pak, pas diskutimeve po i pranojnë si një e mirë publike. Edhe pajisjet janë duke funksionuar dhe nuk kemi telashe në terren”, ka thënë ai.

    Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë ka filluar me 05.04.2024 dhe vazhdon deri më 17.05.2024.

    Regjistrimi po bëhet trembëdhjetë vjet pas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë.

    Këtë herë, procesi po zhvillohet me disa ndryshime. Ai po zhvillohet edhe në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe përfshin formularë shtesë për dëmet e luftës.

    Me ligj, secili qytetar duhet të regjistrohet dhe të ofrojë të dhëna të sakta. Vetëm në dy pyetje që ju parashtrohen, kanë të drejtë të mos përgjigjen, ato për religjionin dhe etninë.

    Kushdo që e bojkoton procesin rrezikon të gjobitet nga 20 deri në 2 mijë euro, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Regjistrimet do të bëhen çdo ditë të javës, përveç ditës së hënë. E hëna, do të jetë ditë pushimi. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!