×
  • Lajme
  • Lajme / Kushtëzimi

    Rohde inkurajon Kosovën për “vendim të guximshëm”: Agjenda në KiE mund të ndryshohet në minutën e fundit

    Reporteri
    10 Maj 2024 | 14:14

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se agjenda e mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës mund të ndryshohet edhe në minutën e fundit. Ai e ka inkurajuar Kosovën për vendim të guximshëm, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Kosova deri më tani nuk është futur në agjendën e mbledhjes së 17 majit ku kishte pritje se mund të hidhej në votim kërkesa për anëtarësim.

    Rohde tha se sa më shpejt që Kosova ndërmerr një vendim “të guximshëm” aq më realiste bëhet arritja e mbështetjes.

    “Agjenda për mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës mund të ndryshohet edhe në minutën e fundit. Por sa më shpejt që Kosova të marrë një vendim të guximshëm, aq më realiste është arritja e 2/3 së shumicës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës!”, ka shkruar Rohde në X, duke ndarë një pjesë të një interviste për A2 CNN.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar gjatë kësaj jave se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës po kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Kurti, tha të mërkurën se qeveria e tij nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke cilësuar “absurd” një kushtëzim të tillë.

    Kurti tha se Kosova e meriton anëtarësimin në KiE pasi plotëson standardet e kërkuara, por shtoi se kërkesa për Asociacionin, si kusht për t’i hapur rrugë Kosovës drejt KiE-së, është absurde dhe joparimore. Kurti u shpreh i zhgënjyer edhe me aleatët e Kosovës, teksa tha nuk e mendonin që shtetet që kanë qenë përkrahëse të Kosovës drejt çlirimit dhe pavarësimit, do të ishin pengesë për rrugën drejt KiE-së.

    Çështja e Kosovës tashmë është konfirmuar se nuk është në agjendën e Këshillit të Ministrave javën e ardhshme. Kështu tha të mërkurën zëdhënësi i kësaj organizate, Daniel Holtgen, por pa dhënë më shumë hollësi.

    Këshilli mblidhet javën që vjen dhe pritej që të votonte për kërkesën e Kosovës, e cila muajin e kaluar mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, duke nxitur besimin në Prishtinë për përmbushjen e këtij synimi dhe zemërimin në Beograd.

    Disa nga vendet perëndimore, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e shndërruan në kusht për votën e tyre hedhjen e hapave konkretë nga Kosova për themelimin e Asociacionit, në bazë të një projektstatuti të hartuar nga diplomatë perëndimorë që iu dorëzua palëve në tetor të vitit të kaluar. /Reporteri.net/

    “Absurde, s’prisnim pengesa nga shtetet që e kanë përkrahur Kosovën” – krejt çka tha Kurti për kushtëzimin rreth Asociacionit

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!