×
  • Lajme
  • Zgjedhjet Lokale 2021

    S’ka përballje Bekim Jashari – Sami Lushtaku në Skenderaj, PDK synon ta rikthejë bazën e saj me Fadil Nurën

    Reporteri
    03 Tetor 2021 | 21:58

    Skenderaj që nga paslufta është një bastion i Partisë Demokratike të Kosovës, përjashto këtu zgjedhjet e vitit 2017 kur kryetar i kësaj komune u zgjodh Bekim Jashari që u mbështet edhe nga PDK.


    Se kush do të bëhet kryetar i kësaj komune, nga paslufta asnjëherë nuk është diskutuar, pasi kandidatët e PDK-së është ditur se do të jenë fitues të padiskutueshëm.

    Në zgjedhjet e 17 tetorit, u prit që gara të jetë tejet e nxehtë pasi kandidaturat i shpallën Sami Lushtaku, dhe Bekim Jashari (kryetar aktual) që vjen nga familja heroike Jashari nga Prekazi.

    Por kjo përballje mes tyre nuk do të ndodhë. “Fajtore” për këtë është Gjykata Supreme e Kosovës e cila i ka vërtetuar dënimin për arratisjen nga “Burgu i Dubravës” Sami Lushtakut dhe kështu ju ka pamundësuar të jetë kandidat për kryetar të Skenderajt nga PDK, shkruan Reporteri.net.

    Pas vendimit të Supremes PDK nuk vonoi dhe zyrtarizoi kandidatin e saj për të parin e Skenderajt, duke njoftuar se deputeti aktual, Fadil Nura, do të jetë kundërkandidat i Bekim Jasharit.

    Ndërsa sa i përket partive tjera, LDK ka zyrtarizuar si kandidat për kryetar të Skenderajt, Isa Fejzullahun, kurse Vetëvendosje, AAK dhe NISMA nuk kanë zyrtarizuar ndonjë kandidat.

    Rezultatet e zgjedhjeve lokale në Skenderaj ndër vite

    Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, PDK-ja kishte fituar bindshëm zgjedhjet me kandidatin e saj, Sami Lushtaku me 80.50% të votave, duke lënë pas LDD-në me 12.5%, AKR me 3.4% dhe AAK-në me 1.8%.

    Edhe zgjedhjet lokale të vitit 2009 i fitoi tejet bindshëm PDK-ja. Kandidati i saj, Sami Lushtaku, fitoi 85.02% të votave, pas tij u rendit Fadil Geci i LDD-së me 10.78%, i treti Rushit Haliti nga AAK me 1.79%.

    Katër vjet më vonë, në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kandidati i PDK-së, Sami Lushtaku, rriti edhe më shumë besimin e qytetarëve. Ai sërish në raundin e pare u bë kryetar i Skenderajt, pasi fitoi hiç më pas se 88.21% të votave të qytetarëve, kurse pas tij u rendit, Ajnishahe Halimi (tashmë e ndjerë) nga Vetëvendosje me 5.67%, i treti Cenë Behrami nga LDK me 2.16%, pastaj Ramiz Polaci nga AKR me 2%, Qazim Xani nga AAK/LDD me 1.37% dhe në fund, Musli Ahmeti nga Lëvizja Sociale me 0.59%, shkruan Reporteri.net.

    Pas tre mandative si kryetar i Skenderajt, Lushtaku nuk kandidoi në zgjedhjet lokale të vitit 2017, dhe PDK nuk zyrtariozi fare kandidat duke mbështetur kandidaturën e Bekim Jasharit. Ky i fundit zgjedhjet për kryetar të Skenderajt i fito bindshëm me 85.52% të votave të qytetarëve, pas tij u rendit Musa Dervishaj nga AKR me 9.02%, i treti Hysni Mehani nga Vetëvendosje që mori 3.24%, kurse Isa Fejzullahu nga LDK i katërti me 2.23% të votave.

    Kujtojmë se Ramadan Gashi nga PDK e udhëheqi Skenderajn nga viti 2000 deri më 2007. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!