Fushata zgjedhore sa vjen e po bëhet më interesante. Partitë politike çdo ditë po japin premtime të ndryshme.
Në ditën e tetë të fushatës, Vetëvendosje, partia më e madhe në vend ka protestuar, shkruan Reporteri.net.
Dega e kësaj partie në Mitrovicë, e cila e ka edhe pushtetin në këtë komunë ka protestuar ndaj kandidatit të opozitës.
Aktivistët e VV-së në Mitrovicë kanë protestuar ndaj kandidatit të PDK-së, Bedri Hamza i cili tha se ka aktivistë të VV-së që po e mbështesin, kanë reaguar sot nga dega e VV-së në Mitrovicë.
“Agimi i Albinit, Bedriu i Hashimit”, shkruhej në parullat e aktivistëve të VV-së që dolën për të protestuar në sheshin e Mitrovicës.
“Aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Mitrovicë sot përmes një aktivitetit i treguan njëherë e mirë kandidatit të PDK-së, Bedri Hamza, se ne jemi të unifikuar. As tentimi i dështuar i Bedriut të PDK-së, duke thënë se ka aktivistë të Vetëvendosjes që po e përkrahin, nuk i ndihmon nga humbja e thellë dhe pa balotazh. Para se gjithash, ata që e ndjejnë Vetëvendosjen e dinë mirë se Bedriu është dorë e Hashimit. Kurse, Agimi është i Albinit, sepse ashtu ka vendosur Lëvizja. Ne jemi bashkë për Agimin! Ne do të qeverisim së bashku me Agimin e Albinin, që të kthejmë dinjitetin e Mitrovicës”, thuhej në komunikatën e degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicës.
E kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar sot në Skenderaj.
Ai ka thënë se PDK ka qenë dhe është e lidhur me qytetarët e kësaj komune në një bosht identitar e politik që s’mund të thyhet asnjëherë as nga brenda e as nga jashtë.
Krasniqi theksoi se votuesit e PDK-së në Skenderaj, e kanë vetëm një adresë, numrin 177 dhe kandidatin Fadil Nura, i cili do ta qeverisë këtë komunë në katër vitet e ardhshme, bashkë me qytetarët e Skenderajt.
“Ne e dimë që Skenderaj asnjëherë nuk është ndalur. Por e dimë po ashtu se jo të gjitha mundësitë që i ka ky qytet, janë realizuar plotësisht. Dhe ne në Skenderaj, bashkë me të gjithë qytetarët pa dallim, do t’i japim jetë këtyre mundësive. Sepse qytetarët e dinë që këto mundësi, hapen për ta vetëm nga PDK-ja, nga partia e tyre, me të cilën kanë rrugëtuar që në ditët e para, përplot 21 vite me radhë. PDK-ja është e lidhur me Skenderajn, punon për zhvillimin e Skenderajt, dhe do të qeverisë me Skenderajn në katër vitet e ardhshme. Dhe PDK-ja në Skenderaj e ka vetëm një kandidat, e ai është Fadil Nura. Votuesit e PDK-së në Skenderaj, e kanë vetëm një adresë, numrin 177. Partia Demokratike e Kosovës, ka qenë dhe është e lidhur me qytetarët e Skenderajt, në një bosht identitar e politik që s’mund të thyhet e as nuk mund ta thejnë. Kjo lidhje nuk është shkëputur kurrë. Prandaj, të nderuar kandidatë, është detyrë e juaja që këtë lidhje, ta bëni edhe më të pranishme, duke qenë afër dhe në shërbim të qytetarëve, për të ardhmen e fëmijëve, për perspektivën e të rinjve dhe me respekt ndaj lavdisë e historisë sonë, që në Skenderaj merr përmasa kombëtare e të përjetshme”, tha Krasniqi.
E për fushatën ka folur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Ai e ka komentuar deklaratën e kandidatit të kësaj partie për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama ludhun me një ide për rrënimin e stadiumit “Fadil Vokrri” dhe zëvendësimin e tij me liqen dhe parqe përreth.
Abdixhiku tha se talljet për ide të mëdha mund të ndodhin, por programi duhet të lexohet mirë.
Ai e arsyetoi idenë e Ramës duke thënë se kjo ide është vizioni i një urbanisti.
“Është një prej ideve që ka qarkulluar më herët, por është ide që në qoftë se në të ardhmen si vizion, ky është vizioni i një urbanistiti. Prishtinës i mungon lumi e uji, kish me qenë atraktive, por unë besoj që duhet të dalim përtej bindjeve që i kemi tani, qytetet e mëdha këtë e bëjnë, transformojnë, rrënojnë diçka që ka qëndru një kohë të gjatë dhe e ndryshojnë. Prandaj, duhet të guxojmë të mendojmë pak më tepër se kaq”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se ka ardhë koha për transforim radikal në Prishtinë, dhe kandidati i LDK-së, Përparim Rama mund ta bëj një gjë të tillë.
“Natyrisht tallja e ideve të mëdhaja mund të ndodh, por unë besoj që duhet të lexohet programi me kujdes, është program specifik i përgatitur mirë, i qartë edhe për atë temë dhe për temat e tjera, për dallim prej tjerëve që i refuzojnë qytetarët tanë. Paraqitja e ideve nuk është vec privilegj por është detyrim. Unë besoj që është koha për një transforim radikal dhe Përparimi e bën një gjë të tillë”.
E kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj ka vazhduar me premtimet e tij të mëdha.
Haradinaj në ditën e tetë të fushatës ka premtuar nga 500 euro për çdo lindje dhe një ndihmë po aq në shifër edhe për familjet që humbin anëtarët, si lehtësim për mbulim të ceremonive të vdekjeve.
Për ndihmën për lindjet, ai ka thënë se synimi është të stimulohet nataliteti.
Për ndihmën për familjet që humbin të afërmit, Haradinaj ka thënë se kjo bëhet me qëllimin se ka shumë familje që e kanë problem të sigurojnë edhe drekën për të pame.
“Për 50 persona kushton 100 euro e për komunën s’janë shumë. Ja sa e thjeshtë është”, ka thënë ai.
Haradinaj ka premtuar edhe rregullimin e morgut.