Pse çdo ditë e më shumë, burrat po përdorin makijazh

Nga një krem hidratues i lehtë apo balsam pa ngjyrë buzësh, te sy vezullues dhe qerpikë fallco ka mënyra të shumta se si sot burrat po zgjedhin të grimohen.


Teksa për shumë mbetet ende tabu, tendenca e makeup-it te burrat sa vjen dhe po rritet, duke parë përherë e më shumë djem të rinj dhe jo vetëm, që përdorin produkte bukurie si në evente apo tapet të kuq, ashtu edhe në përditshmëri.

Burrat përdorën makeup qindra dhe mijëra vite më parë.

Po, makeup-i te burrat nuk është aspak një gjë e re. Zanafillën e saj e gjejmë në Egjiptin e Lashtë, ku burrat përdornin vajra dhe yndyrna për lëkurën e tyre, në mënyrë që t’i mbronin nga nxehtësia e shkretëtirës dhe rrezet e diellit. Burrat e klasës së lartë të Egjiptit të Lashtë shpesh vijëzonin sytë. E njëjta gjë ndodhte edhe me burrat në Romën e Lashtë, ku disa prej tyre përdornin parfum të lehtë, hiqnin qime në zona të caktuara të trupit dhe madje shpesh përdornin produkte të ndryshme për të zbardhuar fytyrën e tyre. Po kështu, edhe gjatë periudhës së mbretëreshës Elizabeta I, burrat pudrosnin fytyrën e tyre. Në Japoninë e shekullit të 17-të, burrat zbardhin portretet me ndihmën e miellit të orizit, ndërkohë që sytë i vijëzonin me të kuqe dhe të zezë. Duke iu afruar kohërave moderne, vijmë në periudhën e Hollywood-it të vjetër, i cili shfaqi në ekran burra të grimuar.

Po teksa vendosja e makeup-it te burrat, deri vonë shihej kryesisht te muzikantët dhe aktorët, të cilët kishin kontakte të vazhdueshme me ekranin, sot, përherë e më shumë shihen burra teksa përdorin produkte bukurie në përditshmërinë e tyre.

Ndonëse meshkujt janë grimuar që në antikitet, përgjatë historisë shumë pak produkte kozmetike janë krijuar posaçërisht për burrat. Gjërat kanë ndryshuar tashmë, ku shumë kompani dhe linja të ndryshme paraqesin produkte mashkullore. Pra, sa më e gjerë të jetë zgjedhja e produkteve të bukurisë mashkullore, aq më shumë burrat inkurajohen t’i provojnë në fytyrat e tyre. Koleksioni Boy De Chanel nga Chanel, për shembull, ofron një shumëllojshmëri të gjerë të produkteve për burra, duke përfshirë kremin hidratues, fondatinën, korrektorin, lapsat e syve, balsamin e buzëve dhe manikyrin e thonjve për krijimin e një pamjeje natyrale.

Po kështu, kohët e fundit artistë të njohur të makijazhit duket se përmes këshillave të tyre të bukurisë po ndikojnë përherë e më shumë sa i takon nxitjes dhe zgjedhjes së burrave për të përdorur produkte bukurie.