×
  • Lajme
  • Lajme

    Edhe partia me vetëm 1 deputet synon ta marrë postin e kryeministrit

    Reporteri
    06 Gusht 2019 | 15:08

    Muaji korrik i zuri në befasi disa nga partitë politike, të cilat janë në koalicion qeverisës. E gjithë kjo për shkak të dorëheqjes së papritur të kryeministrit Ramush Haradinaj, shkak për të cilën u bë ftesa për intervistim nga Gjykata Speciale.


    Por edhe pse e papritur kjo dorëheqje, pothuajse të gjitha partitë politike kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

    Disa nga to tashmë kanë vendosur se edhe kush do të jetë kandidati i tyre për kryeministër. Ndër to edhe Aleanca Kosova e Re, ka vendosur që kryetari i partisë, Behgjet Pacolli të jetë kandidat për kryeministër.

    Kjo ambicie e AKR-së vjen përkundër se si parti në Kuvendin i cili shpërbëhet pas pak jave ka vetëm një deputet të nxjerrë nga zgjedhjet e fundit. Fjala është për Islam Pacollit. Madje, ai është kushëri i kryetarit të partisë, Behgjet Pacolli.

    Në radhët e saj kjo parti ka pasur edhe tallava-deputetin Labinot Tahiri, por që ai gjatë mandatit kaloi në grupin parlamentar të AKR-së.

    Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli është deklaruar për Telegrafin rreth procesit të zgjedhjeve të parakohshme dhe kandidatit për kryeministër.

    “Kemi presidentin tonë, Behgjet Pacollin, ma merr mendja se është personi më meritor dhe me i thirrur që ta kryejë këtë përgjegjësi edhe për shtetin edhe për gjithë kosovarët”, tha ai.

    Vlen të përmendet se në Qeverinë Haradinaj, AKR ka udhëhequr me katër ministri, Ministrinë e Punëve të Jashtme, atë të Punëve të Brendshme, të Zhvillimit Ekonomik dhe të Planifikimit dhe Mbrojtjes Hapësinore.

    Ndërsa lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli që nga viti 2017 është zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.

    Kurse deri tani, deputetët e Vetëvendosjes kanë deponuar në Kuvendin e Kosovës, nënshkrimet e 19 deputetëve për thirrjen e seancës për shpërndarjen e Kuvendit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!