×
  • Lajme
  • Lajme / Kushtëzimi me Asociacionin

    Eurodeputeti holandez, Reuten: Kosova e meriton të bëhet anëtare e KiE-së, i ka përmbushur të gjitha kriteret

    Reporteri
    10 Maj 2024 | 7:36

    Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, thotë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për tu bërë anëtare e Këshillit të Evropës dhe e quan të padrejtë kushtëzimin me Asociacionin.

    Zëvendësi i ndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, ishte i pari që paralajmëroi se Kosova duhet të bëjë hapa konkretë për themelimin e Asociacionit para se ta mendojë anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

    Këto deklarata diplomati amerikan i bëri gjatë muajit mars, derisa ishte për vizitë në Prishtinë.

    Tani kur kanë mbetur një javë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës, Kosovës po i kërkohet nga shtetet kryesore evropiane që ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.

    E me këtë qasje të shteteve mike nuk po pajtohet kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili dje gjatë një konference për medie tha se kushtëzimi i anëtarësimit në KiE me Asociacionin është absurd.

    Me vëmendje këto zhvillime i ka përcjellur edhe eurodeputeti holandez, Thijs Reuten.

    Ai thotë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për tu bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

    “Shpresoj që Kosova do të rikthehet në agjendë për javën e ardhshme kur do të mblidhet Komiteti i Ministrave në Këshillin e Evropës, sepse Kosova me të vërtetë i ka plotësuar kriteret për tu anëtarësuar në këtë organizatë. Raportin e Dora Bakoyannis e kanë mbështetur shumica e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, prandaj Kosova duhet të rikthehet në agjendë”, thotë ai për Tëvë
    Deputeti holandez e sheh të padrejtë kushtëzimin e Kosovës me Asocacionin e komunave me shumicë serbe.

    Ai i ka bërë thirrje shteteve anëtare të Këshillit të ndryshojnë qëndrim para mbledhjes së Komitetit të Ministrave që do të mbahet javën e ardhshme.

    “Më zhgënjim po e shoh se disa shtete të rëndësishme tani po kërkojnë diçka nga Kosova që nuk ka qenë e paraparë më herët për tu bërë anëtare në Këshillin e Evropës. Me të vërtetë mendoj se është një qasje e padrejtë. Prandaj po i bëj thirrje këtyre shteteve që të ndryshojnë qëndrim. Kosova e ka pranuar se do të punojë për themelimin e Asociacionit, por kjo çështje nuk duhet të përfshihet në Këshillin e Evropës” , shprehet eurodeputeti holandez.

    Dy shtetet kryesore të Evropës, Franca dhe Gjermania kanë kërkuar kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!