×
  • Lajme
  • Lajme / Thirrja e vazhdueshme

    Hovenier flet për partneritetin mes Kosovës dhe SHBA-së, ndërsa shtohet trysnia për shtyrjen e vendimit për dinarin

    Reporteri
    05 Shkurt 2024 | 15:25

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e ka përsëritur të hënën kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, por në këtë takim, foli edhe për partneritetin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan Reporteri.net.

    “Ne natyrisht se përkrahim përpjekjet për të shmangur krimet financiare, shpëlarjen e parave, financimin e terrorizmit dhe të ngjashme, por ne kemi shqetësime të thella për mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje, pasi besojmë se nuk i merr parasysh disa shqetësime të komuniteteve”.

    I pyetur nëse Qeveria amerikane mund të marrë veprime kundër Kosovës, nëse nuk i përgjigjet kësaj kërkese, Hovenier ka thënë se “shpresojmë që Qeveria të jetë partnere me ne”, duke shtuar që nëse ndodh e kundërta, kjo gjë “do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”.

    Hovenier ka thënë se ndonëse Shtetet e Bashkuara e mirëpresin vendimin e Kosovës për respektim të Kushtetutës së vendit, SHBA-ja beson që duhet të ketë periudhë edukuese për rregulloren e re.

    Kur është pyetur për reagimin e Qeverisë ndaj kërkesës së tij dhe faktorit ndërkombëtar, Hovenier ka thënë se “do t’i lë ata të flasin” në këtë drejtim.

    Hovenier insiston në shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së

    SHBA-ja Bashkimi Evropian dhe mekanizma tjerë, e kanë kritikuar që disa ditë Qeverinë e Kosovës për mosshtyrje të zbatimit të rregullores.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është zotuar se do të sigurohet tranzicion i lehtësuar.

    Hovenier ka thënë se shpreson që në këtë periudhë tranzitore të merren parasysh shqetësimet e faktorit ndërkombëtar.

    Të enjten e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha se vendimi “i njëanshëm” i Kosovës për ta zbatuar një rregullore të Bankës Qendrore të Kosovës – e cila përcakton që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin – ia kufizon mundësitë SHBA-së për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

    Me gjithë trysnin ndërkombëtare, Kosova e nisi më 1 shkurt zbatimin e rregullores, e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb në vend, megjithëse përmes një periudhe të papërcaktuar tranzicioni të lehtësuar.

    “Qeverisja e mirë dhe partneriteti i mirë ndërkombëtar kërkojnë kohë për t’i vlerësuar pasojat, për t’i dëgjuar perspektivat dhe për t’u konsultuar me të tjetër për gjetjen e një zgjidhjeje funksionale”, tha DASH.

    DASH: Kundërshtojmë planet aktuale të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin dinarit serb

    Më 1 shkurt, në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb. Ky vendim ka rritur shqetësimet serbëve lokalë, të cilët marrin paga dhe pensione nga Serbia me dinarë, por edhe e përdorin këtë valutë për shitblerje.

    Megjithatë, Qeveria e Kosovës tha se zbatimi i rregullores për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar.

    Komuniteti ndërkombëtar kishte kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e këtij vendimi, duke argumentuar se ai “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”. Bashkimi Evropian më 1 shkurt shprehu shqetësim për pasojat eventuale që mund të ketë ky vendim në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë.

    Ekzekutivi kosovar tha se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do të ndalet trasferet e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera.

    Megjithatë, nga 1 shkurti nuk do të lejohet importi i parave nëse institucionet që e bëjnë importin, nuk janë të licencuara nga BQK-ja.

    Më 31 janar, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se do të nisë një fushatë për informimin e qytetarëve për këtë rregullore, duke shtuar se shpreson që do të ketë bisedime mes bankave qendrore të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfer transparent të mjeteve.

    Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se të gjitha bankat komerciale në shtet janë udhëzuar që të hapin degë në veri, teksa BQK-ja i ka obliguar ato që të ofrojnë xhirollogari bazike, pa kosto për poseduesit e tyre.

    Ndërkaq, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve është paralajmëruar se do të nisë operimin në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicës serbe, në mënyrë që bizneset atje të mund të regjistrohen dhe fiskalizohen.

    Vendimi i BQK-së që përjashton dinarin, Kurti: Vendimmarrja e institucioneve të pavarura s’mund të negociohet nga politikanët

    KE-ja shton presionin ndaj Kosovës për shkak të vendimit të BQK-së

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!