×
  • Lajme
  • Lajme

    Krejt çka dihet deri me tash për vjedhjen 2 milionëshe të Thesarit nga anëtari i PDK-së

    Reporteri
    22 Tetor 2020 | 9:38

    Mbi 2 milionë euro të Thesarit të Shtetit, janë zhdukur gjatë këtij muaji.


    Për këtë skandal është arrestuar një punëtor i Thesarit të Kosovës, Labinot Gruda i cili ka punuar qe 11 vite në Thesar, dhe dyshohet se ka bërë transferimin e 2,077,995 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në adresë kompanisë, LDA Group Shpk, me bazë në Llapushnik.

    Kurse pronarët e kësaj kompanie Valon Shala edhe Kadri Shala janë në arrati

    Dyshohet se një pjesë e këtyre parave janë transferuar jashtë vendit, por që tashmë llogaritë bankare të tyre janë bllokuar.

    “LDA Group” është regjistruar si biznes para një viti, më saktësisht më 21 gusht të vitit 2019.

    Si aktivitet primar, kjo kompani ka ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, ndërsa merret edhe me demolimin e objekteve, përgatitje të vendpunishtes e instalime elektrike.

    Lidhja e të dyshuarve me politikën

    Gazeta Online “Reporteri.net ishte media e parë që raportoi se Labinot Gruda i cili dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove është anëtar i PDK-së dhe ish-drejtor i Financave në komunën e Drenasit.

    PDK përmes një reagimi u mundua që “të ia shesin” LDK-së anëtarin e saj që u arrestua për ‘avullimin’ e 2 milionë Eurove të thesarit, duke e bërë të afërt me këtë parti.

    Por LDK reagoi duke thënë se i arrestuari Labinot Gruda për 2 milionë euro edhe pozitat i ka fituar përmes PDK-së.

    Ramiz Lladrovci sot në mëngjes ndërsa foli sërish për ish-drejtorin e tij të arrestuar tha se e kam marrë si ekspert me sugjerim të ndonjë tezaku, por sërish mohoi që Liridon Gruda të ketë qenë pjesë e PDK-së.

    Kurse Kadri Shala, biznesmen nga Drenasi, njëri prej personave që është i dyshuar për përfshirjen në vjedhjen e 2 milionë Eurove nga Thesari i Shtetit, që ka ikur nga Kosova, është anëtar i NISMA-s Socialdemokrate të Fatmir Limajt.

    Kadri Shala së bashku me vajzën e tij Hajrije Gashi ka dhe një foto së bashku me kreun e NISMA-s, Fatmir Limaj.

    Njëherit Kadri Shala është babai i këshilltares së zëvendëskryeministres Albulena Balaj-Halimi.

    Pas shpërthimit të skandalit zv.kryeministrja Balaj-Halimaj e liroi nga detyra këshilltaren e saj Hajrije Gashi.

    Pas lirimit nga detyra reagoi Hajrije Gashi e cila tha se “duke qenë e vetëdijshme për ndjeshmërinë e madhe publike të rastit të vjedhjes së 2 milionë eurove ku sipas raportimeve të mediave është përfshirë prindi im, unë pranoj vendimin e zv.kryeministres znj. Albulena Balaj Halimaj për të më liruar nga detyra“.

    Policia bastisi shtëpitë e të dyshuarve

    Detaje rreth këtij rasti ka dhënë Policia e Kosovës. Sipas Policisë, të dyshuarit duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milionë euro.

    Policia ka kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve, por që nuk kanë gjetur asgjë. Ndërkohë, është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit.

    “Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro.

    Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

    Për këtë rast, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka mbajtur dje konferencë për media, ku konfirmoi skandalin 2 milionësh.

    “Sot (dje) s’është lajmi i mirë, e keni parë në gazetë. Bëhet fjalë për 4 transaksione të dyshimta, që kanë ndodhur nga llogaria e Thesarit që është në kuadër të MF-së. 2 milionë euro kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik”, ka thënë Bajrami në konferencë për media.

    Bajrami ka thënë se me të kuptuar rastin, e kanë raportuar atë dhe se tashmë është duke u zhvilluar një hetim i gjithanshëm.

    “Me të kuptuar kemi raportuar rastin dhe krimet ekonomike po merren me hetim të brendshëm”, ka thënë Bajrami.

    Ministrja ka thënë se tashëm po interesohen të gjejnë se kush është përfituesi përfundimtar i të hollave.

    “Deri më tani janë suspenduar 2 zyrtarë, njëri nga ta është arrestuar nga Policia e Kosovës. Ne tanimë kemi gjurmuar, ky është transaksion bankar. Institucionet e rendit janë duke u marrë, duke parë se kush janë përfituesit fundorë”, ka theksuar ajo.

    Sipas saj, “institucionet e rendit po bëjnë përpjekje maksimale që këto mjete t’i kthehen buxhetit të Kosovës”.

    Ajo në fund ka thënë se institucionet e kanë gjurmuar rastin.

    “Është rast i izoluar. Gjithçka po gjurmohet sepse është transaksion bankar”, ka thënë në fund.

    E para e financave ka treguar se transaksioni i këtyre mjeteve është kryer më 9 tetor, derisa hetimet për këtë rast kanë filluar tek dje.

    “Tani me datën 9 tetor kanë ndodh transaksionet dhe mjetet nga buxheti në Ministrinë tjetër (Ministrinë e Infrastrukturës) janë terhekë dhe janë bërë pagesat në emër të këtij operatori ekonomik. Më pas kemi ardhë deri te denoncimi i rastit. Krejt procedura e hetimit ka fillu dje”, ka deklaruar Bajrami para gazetarëve.

    Bajrami nuk ka pranuar të japë emrin e operatorit ekonomik, në emër të të cilit janë bërë pagesat, meqenëse siç, ka thënë, mund të dëmtohet procesi i hetimeve për këtë rast.

    “Unë besoj që në një të ardhme të afër do të jemi në gjendje të japim raporte të detajuara. Kemi kërkesë nga prokurorja e rastit që të mos japim informata sepse mund të dëmtohet procesi i hetimeve”, ka deklaruar ajo.

    PDK kërkoi dorëhqjen e ministres Bajrami, kjo e fundit ia përmend rastin e Dhomës së Përgjimeve

    Pas avullimit të dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit, Partia Demokratike e Kosovës, ka kërkuar dorëheqjen e Bajramit.

    Por, përveç që tha se nuk do të japë dorëheqje, Bajrami ia përmendi PDK’së rastin e vjedhjes së Dhomës së Përgjimeve, e ku pas kësaj askush nuk ka dhënë dorëheqje edhe pse PDK’ja ishte në qeverisje.

    “Jo absolutisht bazuar në kërkesen e PDK’së nuk do të japë dorëheqje. Më e lehta do të ishte të japë dorëheqje dhe të marrë përgjegjësi që nuk më takon. Nuk lejoj që ata që kanë kryer krim të organizuar të lëvizin të lirë për shkak se ministrja ka dhënë dorëheqje. Sa i përket PDK’së, në kohën e tyre është vjedhur Dhoma e Dëshmive dhe askush s’ka dhënë përgjegjësi”, ka thënë Bajrami.

    Ajo gjithashtu tregoi se në cilin rast do të jepte dorëheqje.

    “Vetëm nëse në një hallkë është përgjegjësia ime, unë do të jepja dorëheqje”, ka thënë Bajrami.

    Krejt në fund, Bajrami premtoi në zbardhjen e plotë të rastit për shkak se, sipas saj, gjurmët nuk mund të zhduken.

    “I gjithë transaksioni i dyshimtë është gjurmuar. Nuk ka mundësi të zhduken gjurmët. Të gjitha llogaritë e përfitueseve janë të regjistruara. Ky krim nuk është vetëm kibernetik, por edhe krim i organizuar mirë ekonomik”, shtoi Bajrami.

    Isa Mustafa i del në mbrojtje ministres Bajrami

    Nuk ka munguar reagimi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës, i cili i ka dal në mbrojtje Bajramit.

    Mustafa tha se e përkrah plotësisht ministren Bajrami në betejën e saj kundër kriminelëve që vodhën mbi dy milionë euro, derisa e thumboi edhe PDK’në duke thënë se ministrja nuk është aty për t’u dorëzuar, por për t’i kapur hajnat.

    “Shoh se dikush ka dëshirë dhe bën thirrje që ajo të japë dorëheqje. Por ata duhet ta kuptojnë se ministrja Bajrami nuk është aty për tu dorëzuar para hajdutëve duke krijuar boshllëk për fshehjen e gjurmëve të vjedhjes së parasë publike, por për tu ballafaquar me krimin dhe me hajdutët, ashtu siç po vepron me të drejtë ajo”, ka shkruar Mustafa. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!