×
  • Lajme
  • Pa kategori

    “12 vjet burg” – mësoni kur mund të dënohet një kosovar kaq ashpër për përhapje të COVID

    Reporteri
    14 Korrik 2020 | 15:18

    Qeveria e Kosovës ka shtrënguar masat në luftën kundër COVID-19, pas rritjes së numrit të të vdekurve dhe rritjes alarmuese të numrit të të infektuarve.


    Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë u vendos që maskat të jenë obligative dhe institucionet u obliguan të merren edhe me monitorimin e masave të tjera, shkruan Reporteri.net.

    Por, çka ra në sy të të gjithëve, ishin dënimet e ashpra që parashiheshin në nenet 249 dhe 250 të kodit penal, me të cilat po mendohet të sanksionohen shkelësit.

    E këto dy nene të Kodit Penal të Kosovës përfshijnë 8 pika. Neni 249, ku edhe përshkruhen veprat penale, i ka 7 pika mbi të cilat do të sanksionohen qytetarët, ndërkohë që neni 250 e ka vetëm 1 pikë por që lidhet me pikat e nenit 249.

    Masa më e komentueshme që nga dje është dënimi i lartë me burg, që shkonte nga gjashtë muaj deri në 12 vjet. Sipas kodit penal, me burgim mund të dënohen qytetarët që nga mosrespektimi i masave të thjeshta e deri tek ato që rezultojnë me vdekje.

    12 vjet burgim, sipas Kodit Penal, mund të marrin personat që nuk kanë respektuar masat e vendosura kundër “përhapjes së sëmundjeve ngjitëse” dhe këto shkelje kanë sjellur vdekjen e një apo më shumë personave.

    “4. Kur vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në dymbëdhjetë (12) vjet”, thuhet në pikën 4 të nenit 249 të Kodit Penal.

    Një vepër më e ulët sesa 12 vjet, ishte edhe dënimi me 8 vjet burgim. Ky sanksion mund të shqiptohet kur mosrespektimi i masave rezulton me “dëmtim të rëndë të shëndetit”.

    Sidoqoftë, institucionet kosovare deri më sot nuk kanë marrë masa të ashpra, por kanë dalë në rrugë dhe kanë detyruar qytetarët të vendosin maskat. Mirëpo, Policia ka paralajmëruar se dënimet mund të nisin nga sot.

    Ndryshe, Kosova është një prej vendeve më të prekura aktualisht nga pandemia COVID-19, dhe thuajse të gjitha shtetet e kanë futur në “listë të zezë”./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!