×
  • Lajme
  • Lajme / Batrovc

    Sipas Fatmir Haxhollit, nuk janë liruar të gjithë kosovarët e ndaluar në kufijtë e Serbisë

    Reporteri
    17 Prill 2024 | 16:27

    Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli ka thënë se ende nuk janë liruar të gjithë kosovarët nga autoritetet serbe në pikën kurfitare me Kroacinë, shkruan Reporteri.net.

    Në një postim të bërë në Facebook, Haxholli thotë se është vet ai që duhet të dalë i fundit nga stacioni policor kufitar në Betrovc, por që një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

    “Në funksion të mbrojtjes së interesit institucional, interesit publik dhe interesit qytetarë, i ftoj publikisht mediat, që të mos konfirmojnë zhvillime ta papërmbyllura. Unë duhet të jem i fundit që dalë nga stacioni policor kufitar në Batrovc, dhe kjo ende nuk ka ndodh. Kur ky është rasti, për çfardo, do të ketë komunikim nga MPJD”, ka shkruar Haxholli në Facebook.

    Qindra kosovarë janë mbajtur të bllokuar për mbi 13 orë nga autoritetet serbe në pikat kufitare me Serbinë.

    Se një pjesë janë liruar, tashmë është konfirmuar edhe nga një kompani kosovare e autobusëve.

    “Po, janë liruar dhe nuk ka asnjë problem tani”, ka thënë shkurtimisht një punonjëse e kompanisë “Zhitia Turist” për Reporteri.net.

    Përveç në pikën kufitare me Kroacinë, kosovarë të bllokuar kanë mbetur edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë.

    Një veprim i tillë nga Serbia, vjen një ditë pasi Kosova kaloi me sukses hapin e dytë drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës.

    Kryeministri Albin Kurti në reagimin e tij, tha se Serbia po hakmerret për Këshillin e Evropës. Kjo tha Kurti është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Një ditë pas votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Serbia hakmerret ndaj civilëve kosovarë. Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 shtetas tanë – përfshirë fëmijë – janë ndaluar arbitrarisht në kufij, janë privuar nga ushqimi dhe medikamentet. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut”, ka shkruar Kurti.

    Kurti: Mbi 300 shtetas të Kosovës janë ndaluar arbitrarisht në kufij, Serbia po hakmerret për Këshillin e Evropës

    Lidhur me këtë, Bashkimi Evropian e ka cilësuar shkelje të marrëveshjes për lëvizjen e lirë.

    “Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar Stano për REL.

    Në orët e para të mëngjesit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangimin kalimin nga pikat kufitare me Serbinë. Poashtu në reagimin e kësaj ministrie u tha se qytetarëve u janë marrë dokumentet personale, dhe disa prej tyre edhe janë marrë në pyetje.

    Poashtu, lidhur me këtë situatë, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla do të mbajë konferencë për media në ora 18:30./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!