×
  • Lajme
  • Lajme / S'dihen shkaqet

    Dy zyre të djegura, Prokuroria po heton rastin e zjarrit në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore

    Reporteri
    21 Nëntor 2023 | 14:22

    Mëngjesin e së martës dy zyre në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë u përfshinë nga zjarri.

    Lidhur me rastin për Gazetën Online Reporteri.net janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

    Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj ka thënë se Prokurori i Shtetit me të dalë në vendin e ngjarjes ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve.

    “Ju njoftojmë se me të pranuar informatën nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me të gjitha njësitë relevante për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të shkaqeve të këtij incidenti.

    Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes dhe nga të gjeturat e tyre eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale, do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme konform dispozitave të KPPRK-së”, tha Ulaj për Reporteri.net.

    Ajo shtoi se Prokuroria në koordinim me Policinë dhe IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar ndërmarrjen e veprimeve hetimore.

    “Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë”, tha Ulaj.

    Rreth zjarrit në IML ka pasur reagime të shumta.

    Ministria e Drejtësisë në një njoftim të shkurtë tha se nuk dihen ende shkaqet e zjarrit dhe se rasti po hetohet, por në anën tjetër partitë opozitare kanë kërkuar përgjegjësi dhe hetim të shpejtë të rastit.

    Zjarr në këtë objekt kishte pasur edhe në mars të këtij viti. Atë kohë nuk ishte raportuar për dëme.

    Dyshimet rreth shkakut, ishin një defekt në instalimin elektrik, por kurrë s’u vërtetua. /Reporteri.net/

    Dy zyre të djegura në IML, reagon Ministria e Drejtësisë: S’dihen ende shkaqet e zjarrit, jemi në vendngjarje

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!