×
  • Lajme
  • Lajme

    Ka përafrim, por ende pa marrëveshje zyrtare

    Reporteri
    11 Dhjetor 2019 | 18:26

    Ka përfunduar takimi mes Albin Kurtit e Isa Mustafes, në Kuvendin e Kosovës. VV e LDK ende nuk kanë zyrtarizuar marrëveshjen.


    VV e LDK ende nuk janë të gatshme ta zyrtarizojnë marrëveshjen për bashkëqeverisje.
    Edhe pas takimit të sotëm të krerëve të dy partive, Albin Kurtit të VV-së e Isa Mustafes së VV-së, koalicioni mes tyre nuk është shpallur.

    Zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa ka folur para mediave, me të përfunduar takimi që zgjati më shumë se një orë.

    “Të dy liderët janë pajtuar që të intensifikojnë takimet deri në arritje të marrëveshjes për formimin e Qeverisë”, tha ai.

    Ai tregoi se takimi i ardhshëm Kurti-Mustafa pritet të zhvillohet nesër ose pasnesër.

    “Liderët janë pajtuar që të shpeshtojnë takimet, deri në një marrëveshje”, tha zëdhënësi Mustafa.

    Gazeta Online “Reporteri.net”, me burime, ka raportuar se tashmë VV e LDK janë marrë vesh për ndarjen e Ministrive.

    VV-ja ka hequr dorë nga Ministria e Punëve të Brendshme, pozitë e cila marrëveshja do të parasheh t’i takojë LDK-së. Derisa, Ministria e Jashtme do t’i takojë partisë së Albin Kurtit, shkruan Reporteri.net.

    Çështja e padefinuar mes këtyre dy partive mbetet posti i presidentit që LDK-ja insiston ta marrë me marrëveshje politike.

    Ndërkohë, pak para nisjes së takimit Kurti-Mustafa, Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka njoftuar se e ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës për datën 24 dhjetor 2019.  /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!