×
  • Lajme
  • Zgjedhjet Lokale 2021

    Shkeli rregullat e fushatës, VV-ja dënohet me mbi 2 mijë euro gjobë

    Reporteri
    12 Nëntor 2021 | 12:55

    Sot do të përfundojë fushata elektorale për raundin e dytë të zgjedhjeve të balotazhit të cilat do të mbahen këtë të diel.

    Raundi i dytë i zgjedhjeve ndërmjet dy kandidatëve do të përcaktojë kryetarët e ri në 21 komuna.

    E që nga fillimi i fushatës këtë të hënë, e deri sot, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar shtatë ankesa për subjektet politike që nuk kanë respektuar rregullat e fushatës zgjedhore.

    Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Reporteri.net, kryesues i sekretariatit të PZAP-së, Mul Desku.

    “Ju informojmë se prej datës 08.11.2021 deri më sot PZAP-i ka pranuar 7 ankesa të paraqitura nga subjektet politike për fushatë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunave”, ka thënë Desku.

    Desku po ashtu ka shtuar se PZAP-i gjatë kësaj fushate 5 ditore për raundin e dytë, ka shqiptuar gjobë në shumën mbi 2000 euro vetëm ndaj një subjekti politik, gjegjësisht Lëvizjes Vetëvendosje.

    “PZAP-i ka shqiptuar gjobë në shumë prej 2,100.00 euro ndaj subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje për shkak të Vendosjes se materialit zgjedhore në hapësira publike”, ka thënë Desku për Reporteri.net.

    Në raundin e dytë të zgjedhjeve, procesi i votimit do të mbahet në 66% të vendvotimeve.

    Teksa, numri i qytetarëve që kanë të drejtë vote është mbi 1.2 milion. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!