×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimet

    “Pushteti që vjen nga flaka, veç flakë prodhon”, LDK kërkon dorëheqjen e Ministres Haxhiu pas zjarrit në IML

    Reporteri
    21 Nëntor 2023 | 14:08

    Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi lidhur me djegien e dy zyreve në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ka reaguar duke thënë se “pushtetit që vjen nga flaka veç flakë prodhon”, shkruan Reporteri.net.

    Këtë deklaratë ai e bëri përmes një postimi në Facebook, derisa tha se sa ishin VV në opozitë vetëm digjnin institucionet, e tani edhe në pushtet po iu digjen ato.

    “Pushteti që vjen nga flaka veç flakë prodhon. Në opozitë i kallnin institucionet, ndaj dhe në pushtet po u kallen institucionet”, ka shkruar Gashi.

    “Sot, zjarri ka kapluar ndërtesën e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
    Mos të harrojmë se para pak kohësh zjarri përfshiu edhe Shërbimin Emergjent në Klinikën e Psikiatrisë të QKUK-së, ku për pasojë pati edhe një viktimë”, ka shkruar tutje ai.

    Lidhur me zjarrin në IML, reagim tjetër nga kjo parti pati edhe nga deputetja Doarsa Kica-Xhelili. Ajo tha se rasti ndodhi pikërisht një ditë pasi Ministrja Albulena Haxhiu dëshmoi në Prokurori për rastin e Astrit Deharit.

    Kica-Xhelili: Zjarri në IML ngrit dyshime për përfshirje të rrezikshme të pushtetit në rastin Dehari

    Në anën tjetër, reagim pati edhe nga ish-Ministri i Shëndetësisë, njëherit deputeti Armend Zemaj. Ky i fundit i quajti Ministra të paaftë të pushtetit, pasi siç tha ai po vazhdojnë të heshtin.

    “Tmerr! Përgjegjësi. Dorëheqje”, ka shkruar mes tjerash Zemaj.

    Zjarri në IML, Zemaj: Ministrat e paaftë të qeverisë së mashtrimit po heshtin

    inistria e Drejtësisë ka dalë me një reagim pasi objekti i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, u përfshi nga flakët mëngjesin e sotëm.

    Në reagimin e MD-së thuhet se shkaqet e zjarrit ende nuk dihen dhe se në vendngjarje po qëndron zëvendësministri, Blerim Sallahu.

    “Sot rreth orës 08:00 në hapësirat e IML-së ka filluar një zjarr që ka përfshirë disa nga zyret e katit të dytë të objektit. Zjarri është lokalizuar dhe për momentin nuk dihen shkaqet.
    Menjëherë pas pranimit të informacionit, ekipet e zjarrëfiksëve dhe policisë kanë shkuar në vend të ngjarjes. Zëvendësministri Sallahu është duke qëndruar po ashtu atje, për të kuptuar më shumë rreth situatës së krijuar. Për zhvillimet e mëtutjshme do të informoheni me kohë”, thuhet në njoftim./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!