×
  • Lajme
  • Lajme / Raporti i policisë

    Raste të shumta të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë, viktima gratë

    Reporteri
    01 Maj 2024 | 10:04

    Raste të shumta të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Kosovë.

    Në shumicën prej tyre, viktima kanë qenë gratë të cilat kanë raportuar se janë sulmuar fizikisht nga bashkëshortët, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Një rast i tillë dje ka ndodhur në Gllogoc. Sipas policisë, një grua kosovare, ka njoftuar policinë se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

    “Gllogoc 30.04.2024 – 20:05. Viktima femër kosovare, ka njoftuar policinë se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Një rast dhune në familje ka  ndodhur edhe në Lipjan. Atje, një grua ka raportuar në polici se ajo dhe bashkëshorti i saj  janë sulmuar fizikisht nga vjehrri dhe kunati.  Një nga të dyshuarit, në këtë rast vjehrri është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

    “Lipjan 30.04.2024 – 14:05. Viktima femër kosovare, ka njoftuar policinë se ajo dhe bashkëshorti i saj janë sulmuar fizikisht nga vjehërri dhe kunati i saj. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa njëri nga të dyshuarit (vjehërri) është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

    Në Prishtinë, një grua ka raportuar se para një muaji, pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Nuk raportohet për të arrestuar.

    “Prishtinë 30.04.2024 – 10:30. Viktima femër kosovare, ka raportuar se para një muaji, pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Nuk raportohet për të arrestuar”, thekson raporti i policisë.

    Një rast dhune në familje ka ndodhur edhe në Gjakovë. Aty një burrë është arrestuar pasi që dyshohet se ka keqtrajtuar bashkëshorten e tij.

    “Gjakovë 30.04.2024 – 01:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka keqtrajtuar bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

    Ndërkaq, në Malishevë Policia e Kosovës kanë njoftuar se rreth orës 00:10 kanë hasur në një grua e cila ishte larguar nga shtëpia për shkak të dhunës së ushtruar nga bashkëshorti. Viktima e cila kishte edhe lëndime trupore është dërguar në strehimore. I dyshuari nuk është arrestuar ende.

    “Malishevë 29.04.2024-22:00.Më datë 01.05.2024 rreth orës 00:10 nga njësia policore është hasur viktima femër e cila ka njoftuar se është larguar nga shtëpia për shkak të dhunës së ushtruar nga burri i saj i dyshuari mashkull kosovar. Pasi që viktima kishte lëndime është dërguar te mjeku i QKMF dhe më pas me pëlqimin e saj është dërguar në strehimore. Lidhur me rastin, deri me tani nuk është arritur që të sigurohet prezenca e të dyshuarit”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë së Kosovës.

    Një grua ka pësuar lëndime edhe në Vushtrri si pasojë e dhunës nga bashkëshorti. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Vushtrri 30.04.2024 – 11:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

    Ndërkaq në një rast dhune në familje në Prishtinë, një grua ka njoftuar policinë se vazhdimisht është duke pasur dhunë psikike nga nëna e saj.

    “Prishtinë 30.04.2024 – 11:25. Viktima femër kosovare, ka njoftuar policinë se vazhdimisht është duke pasur dhunë psikike nga vajza e saj. E dyshuara është sjellë në polici ku ka refuzuar të deklarohet. E njëjta është dërguar për trajtim mjekësor në Klinikën e Psikiatrisë. Në konsultim me prokurorin rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë së Kosovës. /Reporteri.net.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!